Klasikja e Gjermanisë/ Bayern Munchen shkatërron Dortmundin, shkëlqen Kane me tre gola
Bajern Mynih ka siguruar fitoren e radhës në kampionatin gjerman, për të vazhduar ndjekjen e Bajer Leverkusen. Por këtë radhë suksesi 4-0 kishte më shumë shije, pasi erdhi përballë rivalëve historikë të Borusia Dortmund, në një “Der Klassiker” në transfertë.
Skuadra e Tuhel në fakt e mbylli shumë shpejt sfidën teksa shënoi që në minutën e 4-t me anë të Upamekano, për të dyfishuar shifrat në të 9-ën me anë të Kejn.
Kjo ia bëri shumë të vështirë Borusias detyrën pasi shfaqi probleme për të dalë para Nojer, gjithmonë i vëmendshëm me ndërhyrjet e tij.
Në pjesën e dytë, Bajerni shfrytëzoi kundërsulmet dhe nga të tillë erdhën edhe goli i tretë dhe i katërt, të shënuar nga i zakonshmi Kejn, i cili vulosi fitoren 4-0 dhe kthimin e Bajernit në vendin e dytë në renditje, pas krahëve të Leverkusenit.
Sulmuesi anglez, me këtë tregolësh të shënuar, u ngjit në kuotën e 15 rrjetave të tundura në këtë sezon në vetëm 10 ndeshje të luajtura, duke qenë që tani golashënuesi më i mirë i Bundesligës.
