Suarez bashkohet me Mesin/ Inter Miami arrin marrëveshjen me Gremion për sulmuesin uruguaian
Luis Suarez pritet t'i bashkohet Leo Mesit te Inter Majemi. Mediet uruguajane raportojnë se klubi nga Florida ka arritur marrëveshjen me Gremion, për transferimin e sulmuesit drejt SHBA-ve.
Dyshja e famshme që trembte çdo kundërshtar që i dilte përballë dhe që shkëlqeu në Barcelonë, për disa sezone, pritet të ribashkohet sërish.
Bëhet fjalë për Luis Suarez dhe Lionel Messi. Sulmuesi uruguajian mund ti bashkohet Inter Miami-t, në janarin ose në verën e vitit të ardhshëm.

Lajmi bëhet i ditur nga prestigjiozja ‘ESPN’ në Uruguaj, e cila raporton se drejtuesit e ekipit nga Florida kanë arritur marrëveshjen me klubin brazilian të Gremio-s, për të marrë shërbimet e ‘El Pistoleros’.
36-vjeçari do të largohet nga klubi nga Porto Alegre në fund të sezonit në Serie A të Brazilit, që përfundon në dhjetor, pavarësisht se është vetëm në gjysmë të kontratës dy-vjeçare që nënshkroi në dhjetor të vitit të kaluar.
Marrëveshja për një kontratë një-vjeçare, me një opsion për rinovim për një vit të dytë, është rënë dakord me skuadrën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithçka që mbetet tani thuhet se është vetëm edhe nënshkrimi i kontratës.
Luis Suarez është golashënuesi më i mirë i Gremio-s, në këtë sezon, me 10 gola dhe 10 asistime në 31 ndeshje.
Ai është gjithashtu golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i kombëtares uruguajane me 68 gola në 137 paraqitje.
Nëse transferimi kryhet, Suarez do të gjejë te Inter Miami edhe dy ish-shokët e tjetë te skuadra katalanase, Sergio Busquets dhe Jordi Alba.


