VIDEO/ Tuci nuk ndalet në Kroaci, sulmuesi shqiptar shënon në Lokomotiva Zagreb - Rijeka
Sulmuesi shqiptar Indrit Tuci u kthye sërish në protagonist për skuadrën e Lokomotivës së Zagrebit, teksa shënoi në sfidën ndaj Rijekas. Ky ishte goli i pestë në kampionatin kroat, për 23-vjeçarin.
Indrit Tuci vijon formën fantastike në kampionatin kroat të futbollit. Kurbinasi ishte edhe njëherë protagonist për skuadrën e tij të Lokomotivës së Zagrebit. 23-vjeçari realizoi në barazimin 1-1 ndaj kryesuesve të Rijekas, duke zhbllokuar takimin i pari në minutën e 27-të.
Tuci përfitoi nga gabimi në pasim i lojtarit kundërshtar, duke lëvizur bukur në zonë dhe mposhtur portierin kundërshtar me një goditje precize drejt rrjetës.
Gjithsesi, ky gol nuk rezultoi me vlerën e 3 pikëve, pasi miqtë barazuan në fundin e pjesës së parë me Fruk.
Ky është goli i 5-të në elitën e kampionatit kroat, në këtë edicion për sulmuesin shqiptar, teksa ai numëron edhe 2 asiste.
Sezonin e shkuar, Tuci e mbylli kampionatin me 6 gola dhe 5 asiste, në 30 paraqitje me fanellën e skuadrës Lokomotivës së Zagrebit.
Ndërkohë, në duelin ndaj Rijekas, u aktivizuan që nga minuta e parë në fushën e lojës edhe Jon Mersinaj e futbollisti i Kosovës, Art Smakaj.


