E akuzoi se nuk i kishte me të fëmijët, futbollisti detyrohet t'i japë ish-gruas një pjesë të madhe të pasurisë

Një gjykatë në Ganë vendosi që futbollisti i njohur nga ky vend, Asamoah Gyan duhet t'i japë ish-gruas, Gifty, dy shtëpitë e tij, dy makina, si dhe pikën e karburantit që zotëron.

Kjo pasi ai pretendonte se fëmijët që kishte me ish-gruan nuk ishin të tij, por analiza e ADN-së vërtetoi të kundërtën.

Njëra shtëpi që do të marrë Gifty, është në Britaninë e Madhe, ku 37-vjeçari ka luajtur gjatë karrierës së tij futbollistike, dhe tjetra është në Akra të Ganës, ku ka edhe një pikë karburanti.

Gjithashtu, ish-sulmuesi i Sunderland, Udinese dhe Rennes duhet të paguajë 1,965 euro në muaj për fëmijët.

Në fund, pavarësisht gjithçkaje, Gyan tha se nga e gjithë kjo histori del fitues, sepse përfundimisht anulohet martesa me Giftyn.

Kujtojmë se Gyan ishte drejtues i gjeneratës së madhe të kombëtares së Ganës në "Botërorin e Afrikës së Jugut" në vitin 2010.

Më pas Gana arriti në çerekfinale të Kupës së Botës, ku u eliminua në ndeshjen e famshme kundër Uruguait pas një gjuajtje të penalltive.

Në atë Botëror, Gyan ishte në listën e ngushtë për futbollistin më të mirë të turneut, së bashku me Diego Forlan dhe Wesley Sneijder.

Megjithatë, Botërori përfundoi tragjikisht për Gyan, pasi humbi penalltinë në minutën e 120-të, pasi Luis Suarez shpëtoi portën e Uruguait me dorë dhe fitoi karton të kuq. Në 107 ndeshje për ekipin kombëtar të futbollit të Ganës, Gyan shënoi 51 gola.

E akuzoi se nuk i kishte me të fëmijët, futbollisti detyrohet