Rama: Shqipëria me inflacionin më të ulët në rajon dhe nën mesataren e BE-së
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Asamblenë e zgjeruar të Partisë Socialiste në Fier, “se Shqipëria pati dhe ka sot inflacionin më të ulët në rajon”.
“Inflacioni ka qenë një tjetër problem shumë i madh. Nuk e them unë, e thonë të gjithë dokumentet e institucioneve ndërkombëtare. Shqipëria pati dhe ka sot inflacionin më të ulët në rajon, në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ka inflacionin sot, nën mesataren e Bashkimit Europian”, u shpreh Rama.
Kryeministri vuri në dukje se, “aktualisht jemi, nga shtatori 2023 me 4.1% dhe sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e ardhshëm inflacioni do të rikthehet në normalitetin e përpara krizës, midis 2 dhe 4%”.
Përpara pak ditësh, vijoi Rama, Shqipëria doli nga lista gri e Taskforcës së Veprimit Financiar dhe doli nga lista gri, me vlerësime të larta për gjithë punën e bërë.
“Lista gri është një listë ku futen vende të cilat kanë problematika me qarkullimin e parasë, pastrimin e parasë dhe kështu me radhë, por është një proces. Për shembull, doli Shqipëria nga lista gri, u fut në listën gri Kroacia dhe Bullgaria. Pra nuk është fundi i botës të hysh në listën gri, por është shumë më mirë të mos jesh në listën gri, sepse kjo forcon shumë reputacionin e vendit, kjo rrit shumë besueshmërinë dhe njëkohësisht patjetër lehtëson shumë qarkullimin e parasë, dhe këtu flasim për një vend që ka shumë ndërlidhje për shkak të shumë shqiptarëve që janë në emigracion dhe dërgojnë para, që investojnë në Shqipëri, por edhe për shkak të kërkesës në rritje të investitorëve të huaj”, u shpreh kryeministri.
Rama tha se, “këto janë pak a shumë disa elementë të pamjes së përgjithshme, e cila është pamja e një organizmi të shëndetshëm, por kur them të shëndetshëm nuk po ju them dhe nuk i them askujt ‘gëzohuni, se ekonomia është shumë mirë’, aq më tepër që për vetë natyrën e njeriut, shto këtu dhe shqiptarin siç jemi ne, ekonomia nuk është dhe s’mund të jetë asnjëherë shumë mirë, por duhet të jetë më mirë, pra është më mirë seç ka qenë ndonjëherë, duhet të bëhet më mirë seç është, patjetër”.
