Paketa Fiskale 2024, Qeveria: Përjashtohen nga TVSH-ja importi i mëshqerrave dhe bletëve
Në Paketën Fiskale që do të shoqërojë buxhetin në vitin 2024 propozohet edhe përjashtimi nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për importimin e mëshqerrave, bletëve dhe insekteve.
Konkretisht ndryshimet në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar parashikojnë përjashtimin nga TVSH të mëshqerrave të racës së pastër për riprodhim, që përfshihen në kodin 0102 21 10 të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave si dhe insekteve, të cilat përfshihen në kodet 0106 41 00, 0106 49 00 dhe 0106 90 00 të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave.
Ky propozim, sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, synon nxitjen e importit të mëshqerrave dhe insekteve (përfshirë edhe bletët), me qëllim rritjen e numrit të krerëve në vendin tonë, zhvillimin e sektorit të bletarisë, stimulimin e prodhimit bio, duke eliminuar përdorimin e hormoneve dhe praktikave të zakonshme, si dhe përdorimin e metodave inovative në bujqësi për kontrollin biologjik të insekteve të dëmshme.
Kjo masë pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e cilësisë së produkteve dhe përmirësimin e imazhit të produkteve vendase, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Miratimi dhe zbatimi i këtij projektligji parashikohet të sjellë efekte financiare negative në buxhetin e shtetit.


