Projektbuxheti 2024, Qeveria: Objektiv, forcimi i kërkesës së brendshme dhe konsolidimi fiskal
Projektbuxheti 2024 është publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit dhe sipas relacionit shoqërues ai adreson sfidat me të cilat përballet Shqipëria sot.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë bën të ditur se përmes këtij projektbuxheti synohet një shpërndarje më e mirë e mirëqenies për qytetarët duke synuar të forcojë kërkesën e brendshme, të krijojë punësim cilësor me paga më të mira si dhe krijon premisat për një të ardhme më të mirë dhe të sigurt.
Në të njëjtën kohë, thuhet në relacion, duke vijuar konsolidimin fiskal, sigurohet jo vetëm një stabilitet makroekonomik i vendit por edhe ulje e qëndrueshme të borxhit publik në periudhën afatmesme 2024-2026.
“Pas recesionit të fortë prej 3.3% në vitin 2020, ekonomia u rimëkëmb fuqishëm në vitin 2021 me një normë rritjeje prej 8.9%, duke vijuar trendin pozitiv të zhvillimit edhe përgjatë vitit 2022, në masën 4.9%”, thuhet në relacion.
Rritja ekonomike bëhet e ditur në relacion, pritet rreth 3.7% për vitin 2023, ndikuar nga zhvillimet e ekonomisë dhe pritshmëritë për ekonominë globale dhe veçanërisht atë të Bashkimit Europian.
Për periudhën afatmesme 2024-2026 rritja ekonomike parashikohet mesatarisht rreth 3.9% në vit.
Defiçiti buxhetor për vitin 2024 planifikohet në nivelin 2.5% të PBB nga 2.2% të PBB që pritet deri në fund të vitit 2023. Balanca primare, në përputhje me Ligjin Organik të Buxhetit, planifikohet 0.2%, në një përmirësim nga niveli neutral (0%) që pritet në fund të vitit 2023, dhe duke filluar nga viti buxhetor 2024 e në vijim kjo balancë duhet të rezultojë jo më e vogël se zero.
Të ardhurat buxhetore në raport me PBB për periudhën 2024-2026 parashikohen të rriten në vlerën mesatare prej 27.8% të PBB, nga 27% të PBB të rezultuar përgjatë periudhës 2019-2022. Kjo rritje bazohet kryesisht në përmirësimin e politikave tatimore dhe administrimit fiskal, duke zgjeruar bazën e tatimit me synim minimizimin e informalitetit dhe shmangies tatimore në ekonominë e vendit.
Shpenzimet Buxhetore për periudhën 2024-2026 programohen në nivelin mesatar prej 30.2% e PBB duke mbështetur politikën e rritjes së pagave në administratën publike qendrore e vendore të nisur në vitin 2023 dhe që do të finalizohet në vitin 2024, si dhe duke vijuar financimin e një vëllimi të konsiderueshëm investimesh publike me mbi 5% të PBB, të cilat përqendrohen në financimin e projekteve me rëndësi strategjike.
Shpenzimet e planifikuara për këtë periudhë mbështeten në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Europian 2022-2030 duke i kushtuar një vëmendje të veçantë dixhitalizimit, turizmit, sigurisë kombëtare, energjisë, bujqësisë e zhvillimit rural, integrimit europian dhe antikorrupsionit.
Projektbuxheti 2024 akomodon forcimin e mëtejshëm të strukturave që lidhen me negociatat në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian (BE), sidomos kapacitetet e ministrive të linjës dhe agjencive zbatuese, të cilat kanë funksione të lidhura me procesin e negociatave, si edhe me përthithjen, programimin dhe zbatimin e fondeve të BE.
Në kuadër të buxhetimit të përgjithshëm gjinor, në vitin 2024 do të vijojë adresimi i çështjeve të lidhura me barazinë gjinore kryesisht në fushat e arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes sociale, drejtësisë dhe rendit publik.
Në këtë projektbuxhet parashikohet që rreth 9.3% e shpenzimeve të përgjithshme publike t’i dedikohen politikave publike me bazë gjinore të përfshira në 53 programe buxhetore.
Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2024, janë parashikuar në masën 71.1 miliardë lekë, me një rritje prej 10.4% në raport me buxhetin e vitit 2023. Këto shpenzime për vitin 2024, zënë 2.9% të PBB-së nga 2.4% që zinin në vitin 2015.
Transferta e pakushtëzuar për vitin 2024, krahasuar me vitin 2023, është 12% më e lartë ndërkohë që krahasuar me vitin 2015 (viti para reformës administrativo-territoriale) është 3 92% më e lartë.
Në transfertën e pakushtëzuar të parashikuar për vitin 2024 në masën 24.3 miliardë lekë, do të shtohen edhe fondet prej 10.7 miliard lekë transfertë e pakushtëzuar sektoriale për funksionet e reja, si dhe 1.5 miliardë lekë transfertë sektoriale për rritjen e pagave, duke e çuar totalin e transfertës nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor në 36.5 miliardë lekë.
Të ardhurat e veta të pushtetit vendor nga viti 2015 dhe në vijim kanë pësuar rritje të ndjeshme dhe për vitin 2024 parashikohen të jenë 5% më të larta se ato të vitit 2023.
Projektbuxheti 2024 pritet të prezantohet sot në Konferencën e Kryetarëve dhe më pas në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave për të vijuar debatin në parim në të gjitha komisionet.
Pas shqyrtimit në komisionet parlamentare, projektbuxheti pritet të kalojë në parim me 22 nëntor, ndërsa nen për nen më 7 dhjetor./ATSH/




