Balla: Ndryshime në Kodin Penal për paketën e sigurisë në shkolla, do të ashpërsohen dënimet

Paketa e Sigurisë në Shkolla do të forcohet me ligj duke bërë të mundur ashpërsimin e dënimeve të parashikuara në Kodin Penal për veprat penale që kryhen në mjediset e një institucioni arsimor apo në perimetrin e sigurisë së tij.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla u shpreh sot se, “kryerja e një vepre penale në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij të parashikohet si rrethanë rënduese, nëse në dëm të një të mituri, dhe, në çdo rast, si rrethanë cilësuese e figurës së veprave penale të mëposhtme:

Dhuna seksuale (neni 107/a);

Pornografia (neni 117);

Trafikimi i të miturve (neni 128/b);

Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit (neni 278);

Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta (neni 279);

Prodhimi dhe shitja e narkotikëve (neni 283);

Përshtatja e lokalit për përdorim droge (neni 285/a);

Hedhja ose braktisja e shiringave (neni 285/b);

Nxitja për përdorimin e drogës (neni 286);

Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt (neni 291)”.

Balla u shpreh i bindur se, “këto ndryshime në Kodin Penal do të kontribuojnë në rritjen e sigurisë, parandalimin e kriminalitetit dhe shmangien e rrezikut për jetën dhe shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve tanë në të gjitha ato mjedise brenda dhe përreth shkollave të frekuentuara prej tyre”.