Dosja "Partizani", Andoni: Më e rëndësishme është se ç'do ndodhë me Berishën dhe opozitën

Analisti, Ben Andoni në një interviste në Ora News foli për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani ku i arrestuar është dhëndëri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, ndërsa ish-kryeminsitri do merret nesër në pyetje ndërsa i është caktuar masa "detyrim paraqitje". Andoni u shpreh se më me rëndësi janë dy episode, se çfarë do ndodhë me Berishën dhe se çfarë do ndodhë me opozitën.

"Është momenti që ne nuk duhet të prezumojmë gjëra të cilat kanë lidhje me drejtësinë. Unë mendoj që më rëndësi në këto momente kanë dy episode, episodi i parë që lidhet me atë cfarë do ndodhi me zotin Berisha dhe e dyta me opozitën.

Kjo është gjëja më e rëndësishme për vendin tonë. Ndërsa kjo pjesa tani që ai është përballë drejtësisë është një fakt të cilën cdo argument që ne mund të nxjerrim është humbje kohe. Por besoj që mbi zotin Berisha ka pasur vazhdimisht akuza, një pjesë e të cilave janë flagrante dhe gati të besueshme.

Për mua duhet të jenë të besueshme se jepen nga aleatja jonë të themi SHBA. Në orët e fundit ka pasur një problem për aspektin procedurial, i cili me një ndryshim që ka ndodhur tashi në rregulloren e parlamentit, në një farë mënyrë justifikohet kjo lënie e zotit Berisha në detyrim paraqitje. E para për moshën dhe e dyta për shkak të pjesës së tij të përballjes me cështjen", tha ndër të tjera Andoni.