Mete takon Të Ngarkuarin me Punë të SHBA në Tiranë: Thellim të bashkëpunimit ekonomik, rritje të investimeve amerikane

Thellimi i bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rritja e mëtejshme e investimeve amerikane në vendin tonë ishin në fokus të takimit të zhvilluar mes ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete dhe Të Ngarkuarit me Punë në Ambasadën e SHBA, David Wisner.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme amerikane në zbatimin e reformave të nisura në një sërë sektorësh, përfshirë këtu edhe mbështetjen financiare të USAID, apo përmes ekspertizës në disa fusha.

E pranishme në këtë takim ishte edhe Drejtuesja e Lartë e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Mischere Kawas.

Ministri Mete dhe I Ngarkuari me Punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Wisner ndanë interesin e përbashkët për të rritur bashkëpunimin dhe marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.

Ministri i Financave theksoi se qeveria shqiptare mirëpret rritjen e investimeve amerikane në Shqipëri, në sektorë prioritarë të ekonomisë.

Gjatë takimit u vlerësua edhe mbështetja financiare që qeveria e SHBA jep për vendin tonë përmes USAID, në fusha si energjia, infrastruktura e bujqësia, me kontribut të drejtpërdrejtë në rritjen e qëndrueshme ekonomike.

Që nga viti 1992, USAID, siç njofton zyrtarisht në faqen e tij zyrtare, ka investuar mbi 500 milionë dollarë në Shqipëri, duke dhënë mbështetje në disa sektorë prioritarë.