Në pritje të Procesit të Berlinit, Çipa: Samiti mundësi për të rikthyer dialogun mes Ramës dhe Kurtit. Rezoluta e Shqipërisë, e vonuar

Mjaftoi një ndeshje futbolli, si ajo e djeshmja në Tiranë për të parë ndarjen e madhe që ekziston mes dy kryeministrave shqiptarë Edi Rama dhe Albin Kurti, të cilët u shfaqën në tribuna të ndryshme dhe ku nuk pati asnjë takim mes tyre.

Në këtë kohë të trazuar që po përjeton Kosova pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare Akri Çipa, në një intervistë bë studion e lajmeve për “Ora News” u shpreh se për fat të keq marrëdhënia mes z. Rama dhe z. Kurti vazhdon të jetë e ftohtë, për të mos thënë e ngrirë.

“Nuk ka kontakte të drejtëpërdrejta mes tyre dhe ku komunikimi qoftë publik, qoftë njerëzve të tyre duket që e reflekton këtë problematikë dhe një mungesë të habitshme të vullnetit të vendosjes së kontakteve mes tyre”, u shpreh Çipa.

Por ai tha se samiti i së hënës është një mundësi e mirë për të shkrirë akujt mes tyre.

“Dhe mendoj se në këto kushte Samiti i vendeve të Procesit të Berlinit është një mundësi e mirë për të shkrirë akujt. Por do të kishte qenë e udhës që këto marrëdhënie të ishin vendosur më përpara. Samiti i hënës është përpjekja më serioze për ta vendosur në binarët e duhur këtë proces që filloi me bujë të madhe nga kancelaria Merkel, por që e humbi busullën e tij gjatë rrugës. Kishte një qëllim të qartë politik, por që e humbi, dhe tashmë ka një përpjekje të BE-së për të artikuluar një politikë të qartë që ka ajo për zgjerimin”, theksoi Çipa.

Dje Kuvendi i Shqipërisë miratoi një Rezolutë të përbashkët sa vlen ajo, një muaj pas sulmit të serbëve në Kosovë dhe për këtë Çipa në analizën e tij tha se kjo rezolutë duhet të ishte miratuar më shpejt, sepse nuk kishte shkak për të vënë në dyshim atë çfarë ndodhi në veri të Kosovës.

“Ai ishte padyshim një sulm terrorist, dhe vuri në rrezik vetë stabilitetin e rajonit. Politizimi i politikës shqiptare ndaj kësaj u bë pengesë për këtë. Duhej të ishte një qëndrim unanim dhe duhej të ishin shmangur këto skena të papëlqyeshme për vetë ne si shqiptarë”, theksoi studiuesi Akri Çipa.