Basha zbret në sera me fermerët Lushnjës: Shqetësim për mungesën e subvencioneve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë takimeve të sotme në Lushnjë u ndal edhe tek serra e fermerit Armend Cjapi në Fier-Shegan.

Duke qenë se Lushnja është një nga bazat më të rëndësishme të prodhimit bujqësor, kryetari i PD, Lulzim Basha, i ka kushtuar vëmendje të veçantë këtij sektori.

“Dëgjova me vëmendje shqetësimet për mungesën e subvencioneve, për largimin e të rinjve, për mungesën e investimeve në infrastrukturë, që e bëjnë edhe më të vështirë përballjen me këtë realitet të hidhur ekonomik”, tha Basha.

Një nga çështjet kryesore, sipas tij, dhe që e ka diskutuar gjatë në çdo takim me fermerët anembanë vendit, është ajo e korrupsionit me fondet e bujqësisë.

“Indinjata e tyre është e madhe, sepse kjo padrejtësi dëshmon jo vetëm babëzinë e kësaj qeverie, por edhe arrogancën me të cilën kanë tjetërsuar fondet IPARD të BE-së, që në vend që të shkojnë për fermerët, kanë shkuar për resorte për qeveritarët dhe klientët e tyre”, theksoi Basha.

“Ndaj dhënia fund e pandëshkueshmërisë në çdo nivel të qeverisjes dhe lufta pa kompromis kundër korrupsionit, janë prioritare për Partinë Demokratike, implementimi i të cilave do të ndihmojë çdo sektor të jetës ekonomike dhe politike, duke prodhuar mirëqenie për qytetarët shqiptarë”, tha ai në rrjetet sociale.