Izrael - Hamas, Demiraj: Konflikti po shkon më tej, po kryen krime çnjerëzore ndaj civilëve dhe fëmijëve

Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës është rritur në të paktën 1 417. Të paktën 6 268 persona të tjerë u plagosën.

Izraeli po godet enklavën bregdetare palestineze me popullsi të dendur dhe të varfër dhe ka ndaluar furnizmimet me ushqim, karburant dhe ilaçe, duke shkaktuar paralajmërime të tmerrshme për kushtet me të cilat përballen civilët në Gaza, e cila sundohet nga militantët islamikë të Hamasit.

Zyrtarët izraelitë thanë se 1 200 persona u vranë dhe 3 000 të tjerë u plagosën në tërbimin e Hamasit ndaj komuniteteve dhe një festivali të muzikës elektronike pranë Rripit të Gazës në fundjavë.

Lidhur me këtë situatë ish-ministri teknik i Brendshëm dhe koloneli Dritan Demiraj i ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” u shpreh se krimet e Hamasit kanë qenë nga më çnjerëzoret.

Izrael - Hamas, Demiraj: Konflikti po shkon më tej, po kryen krime

“Unë besoj se ky konflikt sa më shumë zgjatet, aq më shumë krime lufte po kryhen nga të dyja palët. Por sulmi i së shtunës i Hamasit ndaj civilëve kanë qenë veprime jashtëzakonisht të rënda që kishte kohë pa i parë.

Por duhet të theksojmë si shumë të rëndësishme shkaqet e këtij konflikti, që kanë nisur me zgjedhjen e Beniamin Netanjahut, është një nga qeveritë e ekstremit të djathtë në Izrael. Një qeveri e cila nuk zbaton asnjë nga ligjet demokratike për hir të së vërtetës. Ka pasur konflikt të vazhdueshëm me Mosadin, apo dhe opozitën vendase atje, kryesisht me dy kryeministrat e fundit.

Që do të thotë sulmet e përditshme, provokimet e përditshme në shkelje të të gjitha konventave ndërkombëtare i kemi parë në xhaminë Al Aksa. Zgjerimi i territoreve, vrasjet e civilëve të pafajshëm dhe provokimi i përditshëm i palestinezëve janë disa nga arsyet kryesore që e shtynë këtë konflikt.

Krerët e Shtëpisë së Bardhë kanë qenë totalisht kundër kësaj dhe vetëm në 2-3 javët e fundit e kanë pranuar Netanjahun.

Por çfarëdo që të ndodhë SHBA kanë qenë dhe do të mbeten në mbështetje të Izraelit. Krimet e Hamasit kanë qenë nga më çnjerëzoret, ndaj nuk dua të justifikoj asnjërën prej palëve. Ky është konflikti i pestë mes dy trupave”, u shpreh ndër të tjera koloneli Dritan Demiraj.