Miratohet me 101 vota Rezoluta për Kosovën, Rama "mungon", grupi i Bashës refuzojnë votimin. Tensione në Kuvend
Miratohet rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë për Kosovën me 101 vota pro dhe 1 abstenim.
Në përfundim të mocionit me debat dhe interpelancës, Kuvendi votoi pro rezolutës të sjell në Kuvend.
Kryeministri Rama nuk ishte prezent në votim dhe nuk mori pjesë.
Grupimi i Bashës edhe pse ishte prezent nuk morën pjesë në votim.
Të pranishëm në Kuvend ishin 106 deputetë, ndërkohë që në votim nuk u futën amendamentet e deputetit të PD-së Kreshnik Çollakut.
Pas votimit të rezolutës për Kosovën, kryeparlamentarja Lindita Nikolla lexoi njoftimin për përjashtimin e Gazment Bardhit nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, çka solli dhe tensione në Kuvend, ku deputetët demokratë u vërsulën në drejtim të foltores së Kuvendit.
"Nervozizmi i Edi Ramës për unifikimim e qëndrimit të Shqipërisë me atë të Kosovës, nuk u shfaq vetëm me mungesën e tij skandaloze në votimin për Rezolutën për dënimin e Serbisë, por edhe nga sjellja e paprecedentë e Kryetares së Kuvendit në fund të seancës së sotme të posaçme.
Marrja peng nga Edi Rama e Reformës Zgjedhore dhe rrëzimi i Komisioneve Hetimore të kërkuara nga opozita, si dhe ndërhyrja në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit e Kryetares së Kuvendit në punët e brendshme të grupit parlamentar të PD, përbën aktin më të pashembullt në historinë e pluralizmit politik që mbyll çdo hapësirë institucionale për opozitën në Parlament", theksoi në reagimin e tij Gazment Bardhi për votimin në Kuvend.
E njëjta situatë u krijua edhe në seancën e kaluar pas refuzimit të mazhorancës për të votuar ndryshimet në Reformën Zgjedhore.




