Intervista e plotë/ Ambasadorja e Izraelit: Nesër kërkojmë nga Kuvendi i Shqipërisë që të shpallë Hamasin organizatë terroriste
Intervistë e gazetares Beti Njuma me ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.
Beti Njuma: Ambasadore Peleg ju falenderoj për këtë intervistë në këto orë kaq të vështira për popullin e Izraelit. Kemi parë në televizor dhe në rrjetet sociale tmerrin e sulmeve ndaj Izraelit. Dua të di fillimisht se cila është situata në atdheun tuaj?
Galit Peleg: Mendoj se jemi akoma duke e përpunuar madhësinë e kësaj tragjedi, kemi nisur ta kuptojmë. Nuk e dimë numrin total të të vdekurve, jemi duke gjetur trupa. Deri më tani zyrtarisht kemi 900 të vdekur, por janë qindra që janë akoma të zhdukur. Dimë se kemi mbi 2600 persona të plagosur në spitale dhe disa prej tyre janë në gjendje të rëndë. Kemi njerëz të rrëmbyer dhe që mbahen peng në Gaza. Jemi duke dëgjuar dëshmi në televizion nga njerëzit që janë akoma të traumatizuar. Nga ana tjetër, ka një shpirt vullnetarizmi dhe çdokush do që të ndihmojë. Janë hapur qendra dhe po mbledhin ushqime, rroba dhe lodra për gjithë njerëzit që u është dashur të largohen nga shtëpitë e tyre. Të rinjtë kanë dalë vullnetarë për t’iu bashkuar ushtrisë, madje edhe të moshuar, pavarësisht se ushtria nuk i thërret, ata dalin vullnetar. Kemi mijëra njerëz që janë në radhë për të dhuruar gjak për të plagosurit, ka shumë njerëz që duan të dhurojnë para dhe pyesin se çfarë mund të bëjnë. Shumë psikologë janë duke dhënë mbështetje psikologjike. Mendoj se jemi në një gjendje shoku, por jemi të fortë, organizohemi shumë shpejt dhe do të marrim kohën tonë. Nuk e di nëse do të shërohemi, por do të marrë kohë për tu kthyer në jetën normale.
Beti Njuma: Gjatë këtyre orëve e gjithë bota është dëshmitare e luftës, gjakut dhe kasaphanës. Dimë deri më tani se 900 izraelitë janë vrarë dhe mijëra të plagosur, si dhe njerëz të zhdukur. Nga ana tjetër, janë vrarë edhe palestinezë. Nga të dyja anët janë vrarë civilë, njerëz që janë të pafajshëm dhe mendoj se një gjë e tillë do të vazhdojë. Nuk mund ta parashikojmë se kur do të përfundojë kjo luftë e re.
Galit Peleg: Ka civilë që janë vrarë në të dyja palët, por e refuzoj këtë krahasim dhe do të them pse: qëllimi kryesor i izraelit është që të mbrojë njerëzit e vet dhe jo të sulmojë. Kur sulmojmë, ne jemi duke goditur terroristët, infrastrukturën e tyre, burimet mbështetëse dhe armët e tyre, nuk jemi duke goditur civilë. Nga ana tjetër shënjestra e tyre janë civilët. Fakti është se kishte më shumë civilë të vrarë në këtë sulm sesa ushtarë. Ata vranë edhe ushtarë, të cilët nuk po luftonin, i masakruan në krevat. Ata thonë se po shenjëstronin ushtarë, por nuk po shenjëstronin vetëm ushtarë. Ata shenjëstruan çdo izraelit, pasi fillimisht e deklaruan një gjë të tillë, kjo nuk është sekret, duhet vetëm t’i dëgjojmë me veshët tanë: ata thonë se duan që të vrasin sa më shumë izraelitë që është e mundur dhe të shkatërrojnë shtetin e Izraelin. Prova tjetër është se nuk shenjëstruan vetëm izraelitë hebrenj, por edhe izraelitë arabë. Atyre nuk u intereson nëse vriten edhe njerëzit e tyre, apo nëse vrasin vëllezërit e tyre. Në Izrael kanë vrarë hebrenj dhe arabë pa dallim. Në Gaza po i përdorin civilët si mburoja njerëzore, po fshehin raketat dhe armën në xhami dhe shkolla. I lëshojnë raketat nga oborret e shkollave, pasi e dinë se Izraeli nuk i bombardon shkollat. Po i përdorin aty dhe sa herë që Izraeli godet zyrat e Hamasit thërrasin civilët që të mblidhen atje në mënyrë që të vritet dhe më pas bota të thotë se Izraeli po vret civilë. Izraeli nuk shenjëstron kurrë civilë, ne nuk jemi në një luftë me popullin palestinez, ne jemi në luftë, dhe nuk mund të quhet ndryshe, me një organizatë terroriste dhe kjo është shënjestra jonë.
Beti Njuma: A po merrni ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar?
Galit Peleg: Deri më tani jemi duke marrë shumë mbështetje dhe inkurajim, kryesisht në deklarata, por jo mbështetje faktike. OKB-ja dërgoi dy anije në lindjen e Mesme, por nuk e di se çfarë do të bëjnë. Ne mbështetemi te vetja dhe fatmirësisht historia ka treguar se nëse nuk mbështetmi te vetja, nuk do të ngadhënjejmë. Prandaj, në mënyrë që të fitojmë, duhet të mbështetemi te forca jonë dhe nëse kemi mbështetje, atëherë ajo është e bekuar. Mbështetja më e madhe që mund të na japë bashkësia ndërkombëtare, është të mos ndërhyjë dhe të mos përpiqet ta bllokojë apo ndalojë Izraelin, por të na lejojë të bëjmë atë që duhet bërë. Dhe ajo që duhet bërë është që të shkatërrojmë infrastrukturën e organizatave terroriste në Gaza. Kjo do të jetë në të mirë të Izraelit kryesisht, por edhe palestinezëve në Gaza.
Beti Njuma: A shihni ndonjë zgjidhje për këtë situatë dhe si do të përfundojë kjo luftë me terroristët?
Galit Peleg: Është një pyetje e mirë dhe nuk dua të përfitoj, por dua ta shikoj në këtë formë: është e kotë të negociosh me terroristët, ata nuk flasin të njëjtën gjuhë, nuk funksionojnë me të njëjtat vlera. Kur përfaqësuesit e vendeve demokratike vijnë të flasin me terroristët, ata nuk flasin të njëjtën gjuhë, nuk kanë rregulla dhe mund të bëjnë çdo gjë. Ne jemi të kufizuar mbi të gjitha nga vlerat. Prandaj për të shkatërruar infrastrukturën e terroristëve duhet të përdorim shumë forcë dhe duhet të mbështetemi, së paku moralisht nga bashkësia ndërkombëtare. Nëse flasim për zgjidhjen e problemit më të madh, atë të konfliktit me palestinezët, mendoj se dy gjëra duhet të ndodhin: e para, palestinezët duhet të kuptojnë se dhuna nuk është zgjidhja për zgjidhjen e konfliktit. Mendoj se shumë vende e kanë kuptuar dekada më parë, por palestinezët nuk e kanë kuptuar akoma. Palestinezët e konsiderojnë Hamasin si pjesë të popullit të tyre dhe thonë se janë vëllezër, se janë të pandarë, ndërsa ne i ndajmë nga palestinezët, por ata nuk e bëjnë këtë ndarje. Një gjë që duhet të kuptojnë është se dhuna nuk është zgjidhje dhe duhet të kuptojnë se dhunës do t’i përgjigjemi me dhunë, nuk do tu japin dhurata për përdorimin e dhunës ndaj nesh. E dyta dhe më e rëndësishmja, është se drejtuesit palestinezë duhet të kuptojnë, dhe kjo duhet mbështetur edhe nga bashkësia ndërkombëtare, se negociatat janë e vetmja rrugë për ta zgjidhur konfliktin. Kur them negociata jo si i duan palestinezët, pasi ata duan që të përmbushen disa parakushte para se të vijnë në negociata. Nëse ne i përmbushim kërkesat e tyre, cila është arsyeja e negociatave?! Ne themi hajdeni në tryezën e negociatave dhe le të hapim çdo çështje, edhe ato më të dhimbshmet dhe që i kemi më përzemër. Jemi gati të hapim çdo gjë dhe të gjejmë një kompromis dhe t’i qëndrojmë atij. Por të përpiqesh të krijosh trysni me masakra dhe sulme të vazhdueshme terroriste, kjo nuk është rruga e duhur. Këto masakra janë në një shkallë që nuk i kemi njohur në histori, të kemi gati 1000 varrime në 1 apo 2 javë, është një shok shumë i madh për çdo komb. Sulmet terroriste ndaj izraelit bëhet në mënyrë konstante, nuk e dëgjoni në medie, sepse nuk përbën më lajm. Ndonjëherë vrasin 1 apo 2 persona, shumicën e herëve ndalohen nga forcat tona të sigurisë, por kjo nuk do të thotë se nuk ka tentativa. Çdo ditë, Hamasi dhe xhihadi islamik përpiqet që të sulmojë Izraelin, duke lëshuar raketa ose duke kaluar kufirin, duke vrarë njerëz, apo duke inkurajuar sulmet me thika.
Falë Zotit shumica e tyre ndalohet. Palestinezët duhet të kuptojnë se inkurajimi i dhunës nuk do të ushtrojë trysni te qeveria e Izraelit. E vetmja mënyrë për të gjetur zgjidhjen, është duke vendosur çdo gjë në tryezë dhe duke e diskutuar e negociuar atë për të ardhur në një zgjidhje. Ne kemi arritur që e të kemi paqe me fqinjët tanë më të madh me të cilët kemi pasur luftëra të tmerrshme. Kemi arritur të firmosim një marrëveshjeje paqeje me Egjiptin dhe Jordaninë, kemi firmosur marrëveshje me Emiratet e Bashkuara, Bahrejnin, Marokun, dhe jemi në bisedime me Arabinë Saudite për një marrëveshje. Nuk ka arsye pse nuk mund të arrijmë një marrëveshje me palestinezët. Por ata duhet të kuptojnë ca gjëra, fillimisht që do të ketë gjëra të cilat nuk do t’i marrin, Izraeli do të vazhdojë të ekzistojë pavarësisht nëse u pëlqen apo jo, nuk mund të bërtasin në rrugë se palestinezët do të jenë të lirë mes lumit dhe detit, pasi në mes është shteti i Izraelit. Duhet të kuptojnë se duhen bërë kompromise, sikurse duhet të bëjmë edhe ne, por dhuna përfundimisht nuk është rruga.
Beti Njuma: Në këtë luftë, Shqipëria qëndron me Izraelin. Kryeministri Edi Rama e bëri të qartë se ai është me Izraelin, ndërsa ju dje bëtë një kërkesë specifike për qeverinë shqiptare. Kërkuat që ta shpallim Hamasin si një organizatë terroriste. A ju kanë konfirmuar diçka lidhur me këtë kërkesë deri më tani?
Galit Peleg: T’ju them të vërteten, unë kam këtu prej një viti dhe kurrë nuk e kam kërkuar në mënyrë zyrtare, por do ta bëj nesër. Do t’i kërkoj parlamenti shqiptar që ta bëjë këtë rezolutë, do të kërkoj edhe konfirmimin nga qeveria. Është shumë e rëndësishme, jo vetëm si një deklaratë shtetërore. Ka shumë shtete që e kanë futur Hamasin në listën e organizatave terroriste, si SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar, Japonia dhe Gjermania. Nëse Shqipëria e adopton këtë rezolutë, e rëndësishme është se nuk do të ketë kurrë negociata me Hamasin. Zakonisht ju nuk keni lidhje me Hamasin, por nëse nesër aktivistët e Hamasit duan të transferojnë para nga donatorët drejt organizatave terroriste dhe nëse kanë xhepa në Evropë dhe nëse duan të bëjnë diçka në Shqipëri, shteti juaj ka të drejtë që ndërmarrë masa ekonomike, të mbyllë llogari dhe të arrestojë njerëz për aktivitete të tilla. Prandaj, më shumë vende duhet të ndërmarrin masa, dhe po thonë PO, duhet ta thonë, pra ta thonë me ligj, se nëse je aktiv në një organizatë që ka lidhje me Hamasin, qoftë edhe bamirëse, nuk ka rëndësi, nuk mund ta bësh ligjërisht në Shqipëri.
Beti Njuma: Dua një mesazh të fundit për civilët izraelitë të cilët janë duke u përballur me orë të vështira. Ata janë të inatosur dhe të trishtuar për humbjet, për të zhdukurit, dhe ndoshta tani u duhet një mesazh i fortë rezistence, dhe sigurisht shprese për të ardhmen.
Galit Peleg: Dua të them dy gjëra; dua që vëllezërit dhe motrat e mia izraelitë të dinë se sa shumë mbështetje marrin këtu në Shqipëri, një gjë që më emocion shumë edhe teksa flas. Marrim përqafime, puthje dhe mesazhe mbështetjeje publikisht dhe në Whatsapp. Telefoni im nuk ka shpërthyer ndonjëherë kështu me mesazhe si në 2 ditët e fundit nga të gjitha nivelet; qysh nga qeveria, deri te njerëzit në rrugë, nga ata që na japin shërbime, apo kryebashkiakë. Marrim shumë empati dhe mendoj se na jep shumë forcë duke e ditur se kemi kaq shumë mbështetje. Shto këtu edhe me gjestin e bukur që bëri qyteti i Tiranës me vendosjen e flamurit tek universiteti. Kjo është diçka që bashkëqytetarët e mi duhet ta dinë; Shqipëria është një vend mik, nga shteti deri te njerëzit e thjeshtë. E dyta, e vetmja gjë që mund të them është se do të doja të isha në Izrael dhe të shihja se si të gjithë po dalin vullnetarë, se si janë bashkuar, se si po bëhemi më të fortë nga shpirti i përbashkimit dhe të gjithë e dimë se kemi një qëllim: që ta vazhdojmë ekzistencën tonë dhe se kemi çdo të drejtë që të ekzistojmë dhe ta mbrojnë këtë gjë, dhe fakti që dëgjoj se shumë njerëz duan të shkojnë në Izrael dhe se zemra e tyre është atje, mendoj se kjo gjë na ka mbajtur 2000 vite, kundrejt çdo lloj mënyrë, dhe do të na ndihmojë që të shërohemi edhe nga kjo masakër e tmerrshme.
Beti Njuma: Falemnderit ambasadore Peleg!
Galit Peleg: Faleminderit ty!
