Komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi: Të promovohet parimi i barazisë gjinore
Robert Gajda, Komisioner për mbrojtjen nga diskriminimi i ftuar në emisionin Epiqendër në Ora News i moderuar nga Gazetarja Sonila Musai kërkoi mbështetjen e institucioneve për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të promovuar parimin e barazisë dhe mosdiskriminimit me lente gjinore.
Sipas studimit thuhet se:
Pozioni i burrit në familjen shqiptare është akoma në një pozitë superioriteti kundrejtë gruas. Kështu, rezulton që në 2.4% të familjeve shqiptare kryefamiljarja është grua, duke përfshirë edhe familjet ku gruaja është kryefamiljare e vetme.
Ndërsa, vetëm në 0.41% tëfamiljeve që i kanë të dy bashkëshortët, kryefamiljarja është grua.
Procesi i vendosjes së kryefamiljarit nuk ka një rregullim dhe vendosja bëhet bëhet nga veprimet e administratës së gjendjes civile, duke lënë në këtë mënyrë një ndikim të gjerë të traditës patriarkale në këtë përcaktim.
Sipas gjetjeve të studimit, vetëm në 2.84% të totalit të familjeve shqiptare, mbiemri i përbashkët i familjes është ai i gruas. Ndërsa, numri i familjeve ku bashkëshortët kanë mbajtur secili mbiemrin e vet para martese është 10.67 % e totalit të familjeve.
Ndër këto, vetëm në 2% të familjeve ku bashkëshortët kanë mbajtur mbiemrat e tyre para martese, mbiemri i fëmijëve ka qenë ai i nënës. Në këto raste pabarazia gjenerohet nga dispozitat e Kodit të Familjes, por edhe nga mungesa e informimit si dhe një rregullimi të qartë të veprimeve të administratës së gjendjes civile.
Edhe në identifikimin e personit në veprime të ndryshme administrative rezulton që gjerësisht të kërkohet vendosja e atësisë. Në përgjigje të pyetësorëve mbi 60 % e punonjësve të administrative të ndryshme pohojnë se kërkojnë atësinë e personit në veprimet administrative, ndërsa rreth 25% e tyre pohojnë se e kërkojnë atë herë pas here.
Gjithashtu, 55% e punonjësve pohojnë se vendosja e atësisë kërkohet nga aktet normative, por edhe kur nuk parashikohet në akte nënligjore 45% pohojnë se e kërkojnë si pasojë e praktikës së punës. Vetëm në 20 % të ankëtuarve pohojnë se ndonjëherë kërkojnë edhe amësinë.
Vendosja e atësisë predominon edhe në aktet administratve të ndryshme, mbi 55 %, si dhe në të gjitha dokumentat dhe certifikatat që kanë lidhje me arsimin.
Në tërësi studimi gjen se identiteti prindëror i personave në përgjithësi dhe fëmijëve në veçanti nuk rezulton i trajtuar në mënyrë të barabartë në aspektin gjinor.
Kjo për shkak të praktikës së mbiemrit dhe mos reflektimit të mëmësisë në dokumentat e ndryshëm administrativë ku kërkohet identiteti i personit nga organet publike, ose të vendosjes së vetëm atësisë në këto dokumenta.
Si rezultat i këtyre gjetjeve është e dukshme predominanca e burrit në identitetin e familjes dhe të fëmijëve, si dhe zhdukja e identitetit të gruas duke mos u reflektuar tek fëmijët.
Kjo, jo vetëm që vendos gruan në një situatë të pabarabartë dhe diskriminuese në familje, por ndikon edhe në një zhvillim jo të plotë të personalitetit të fëmijëve.
Ky reflektim jo proporcional i identiteve prindërore tek fëmijët, ushqen pabarazinë gjinore si një normalitet brenda në familje, duke mbajtur fort stereotipet mbi rolet gjinore dhe vendosjen e burrit si Kryetar de jure dhe de facto.
Kjo situatë është njëkohësisht product i mendësisë patriarkale dhe akteve normative që duke ushqyer njëra tjetrën krijojnë një rreth vicioz.
Përveç fotografimit të situatës në lidhje me implikimet gjinore të akteve ligjore dhe nënligjore që rregullojnë identitetin e fëmijëve, gjetjet e këtij studimi synojnë që të mundësojnë edhe një diskutim më të gjerë mbi rolet gjinore në familje, barazinë efektiv midis gjinive në familje dhe reflektimin e këtij botë-kuptimi në aktet ligjore dhe prakikën administrative.

