Ambasadori britanik në Kukës, takim me kryebashkiakun dhe prefektin

Ambasadori britanik, Alastair King-Smith vizitoi Kukësin.
Ambasadori u takua me kryebashkiakun e ri, Albert Halilaj dhe prefektin, Granit Gjana.

Në një postim në rrjetin social “facebook”, ambasada bën ditur se ata diskutuan mbi angazhimin e qeverisë britanike dhe mbështetjen e vazhdueshme në veri të Shqipërisë, veçanërisht përmes projektit “Perspektiva të reja”, i cili po mbështet sektorin privat për punësimin e të rinjve, biznese të reja dhe ekzistuese përmes granteve të vogla dhe planifikon zhvillimin lokal ekonomik dhe turizmin.

“Kemi rënë dakord për ta forcuar zhvillimin në rajon, për të rinjtë dhe turizmin, për arritje të prekshme. Jam i befasuar nga puna e shkëlqyer e ambasadorëve të rinj në Veri.

Ne diskutuam edhe për sfidat me të cilat përballen vajzat e reja në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave”, u shpreh ambasadori.

Ambasadori King-Smith vizitoi gjithashtu edhe tunelin nëntokësor të epokës komuniste, i shoqëruar nga ekspertë ushtarakë britanikë dhe diskutuan gjithashtu propozimin për ta shndërruar atë në një aset të dobishëm për të ardhmen.