Gjonaj në KiE: Nuk mund të lejojmë tjetër Krime apo Donbask në veri të Kosovës
Deputetja Etilda Gjonaj, pjesë e delegacionit të Kuvendit në KiE, shprehu shqetësimin për situatën e krijuar në Kosovë pas sulmit të organizuar ushtarak dhe kriminal të njësisë terroriste serbe në veri të vendit, më 24 shtator, gjatë fjalimit të mbajtur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
“Ne patëm një diskutim në seancën e Asamblesë, disa muaj më parë, për dialog dhe deeskalim të tensioneve mes Serbisë dhe Kosovës, por në të kundërt ndodhi përshkallëzimi. Unë dua t’u bëj thirrje sot, jo mendjeve të nxehta, por të gjithë mendjeve të arsyeshme dhe të ftohta, delegacioneve këtu, që duhet të çlirohemi nga ethet e nacionalizmit. Nuk është në interes të popullit tonë, nuk është në interes të rajonit dhe të Europës, çdo situatë që vë në rrezik jetën e qytetarëve, sovranitetin e territorit, demokracinë dhe të drejtat e njeriut”, u shpreh ajo.
“Fondamentalistët janë të rrezikshëm për demokracinë, lirinë dhe shoqërinë dhe këtë po e shohim në Kosovë, Ukrainë dhe vetëm dy ditë më parë në Izrael. Ne nuk mund të lejojmë një tjetër Krime apo Donbask në veri të Kosovës. Unë ndoqa sot një ekspozitë me fotografi të disa fëmijëve nga Ukraina dhe ne nuk mund të lejojmë përsëritjen e rasteve si i Mariyka dhe Maryna 5 dhe 9 vjeç, dhe të fëmijëve të tjerë në Ukrainë që janë vrarë, deportuar ose kanë mbetur jetimë sepse prindërit e tyre janë vrarë”, vijoi Gjonaj.
“Qytetarët serb nuk e dëshirojnë këtë gjë, por duhet të çlirohen nga nacionalizmi. Dua të pyes edhe kolegët e mi deputetë nga Serbia, edhe si politikanë por edhe si prindër, nëse do të donin që fëmijët e tyre të përjetojnë luftën apo të jetojnë në ankthin e saj. Jam absolutisht e sigurt që jo!”, tha deputetja.
“Këshilli i Europës është krijuar si një organizatë vlerash, për të promovuar dhe mbrojtur sovranitetin, demokracinë dhe vlerat themelore si e drejta e lirisë. Ne nuk mund të vëmë në dyshim të drejtën e lirisë, këtu nuk po flasim për privilegje, por po flasim për jetë njerëzish! Në shekullin e 21-të kjo lloj fantazme e krijuar në Ukrainë nuk mund dhe nuk duhet të lejohet të përsëritet në Ballkan”, tha Gjonaj.
“Asambleja Parlamentare duhet ta dënojë këtë veprim, të kërkojë një hetim të plotë dhe t’u imponojë të gjitha shteteve anëtare se çdo sulm i ngjashëm është vija e kuqe. Asambeja Parlamentare e Këshillit të Europës duhet t’i bëjë thirrje BE-së se perspektiva e qartë evropiane për vendet e BP duhet të jetë konkrete dhe po njësoj për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë. Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Tani është momenti”, përfundoi Gjonaj.


