Reforma Zgjedhore, Basha: Listat e hapura janë A-ja e alfabetit tonë politikë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, prezantoi sot propozimet për Reformën Zgjedhore, gjatë një takimi që zhvilloi në Fierit me mbështetësit e PD-së, në këtë qytet.

Basha u shpreh se një nga propozimet kryesore ka të bëj me listat e hapura, me qëllim që
votuesit të kenë mundësi të zgjedhin vetë deputetin, jo kryetari.

Ai shtoi se një tjetër problematikë që duhet zgjidhur është barazia e votës, teksa bëri thirrje që numri i votuesve për mandat deputeti të jetë i njëjtë në të gjithë vendin.

Basha vijoi duke thënë më tej se vota e diasporës po ashtu duhet të kthehet në realitet, ndërsa tha se shqiptarët që jetojnë jashtë vendit duhet të kenë mundësi të votojnë në zgjedhje nga aty ku jetojnë. Gjithashtu theksoi Basha, ne propozojmë që Presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.

“Dita e sotme ka qenë një ditë jashtëzaknisht produktive, në optikën time, kemi nisur me një takim motivues, frymëzues do të thoja me rininë e qytetit të Fierit. Me rininë e cila lëkundet mes dilemave dhe shpresave, mes halleve dhe problemeve të shtuara nga një keqqeverisje. Në të gjitha diskutimet me rininë varet si një hije e rëndë tema e emigracionit, largimi i rinisë”, u shpreh Basha.

Ai tha se, ky takim u pasua edhe nga takime të tjera, me sipërmarrjen e Fierit, me qytetarë të Fierit, ku fokus mori procesi i ndryshimit.

Basha tha se, askush nuk është më përgjegjës se politika, por pjesë e kësaj përgjegjësie është edhe procesi zgjedhor.

“Është mënyra se si shqiptarëve u garantohet liria e votës, transparenca e procesit, numërimi korrekt i votës, përkthimi i vullneteve të tyre në qeverisje qëndrore dhe lokale të cilat janë me të vërtetë burim i besimit të tyre. Prej 15 vitesh nuk është kështu, sepse në vitin 2008, dy partitë kryesore në vend ndryshuan kushtetutën dhe një nga nënproduktet e këtij ndryshimi kushtetues ishte që qytetarët nuk zgjedhin më drejtpërsëdrejti atë zonjë apo zotëri, të re apo të ri që dëshiron t’i përfaqësojë në Kuvendin e Shqipërisë, por zgjedhin nga meny të mbyllura apo të kufizuara listash të paraqitura nga partitë e të firmosura nga kryetarët e partive. Dua ta nis pikërisht pra me problemin e listave të mbyllura. Me menynë e kufizuar që detyrohet të hajë votuesi shqiptar në çdo palë zgjedhjesh. Ky produkt i cili gjoja u korrigjua, ende sot e kësaj dite vijon të ndjek hap pas hapi defektet e demokracisë shqiptare”, deklaroi Basha.

Basha njoftoi se, PD brenda muajit do të ndërmarrë amendament për heqjen e imunitetit të deputetëve që hetohen nga SPAK.

Ai theksoi se, “listat e mbyllura janë kthyer në kryedefekt, sepse shqiptarët nuk kanë sot mundësinë të votojnë dhe të çojnë në parlament ata, personin që votojnë. Sepse edhe kur ky person, si parafolësi këtu (Agron Kapllanaj), arrin të marrë 9500 vota, dikush tjetër pavarësisht se merr 1 mijë vota shkon në parlament sepse ndodhet i renditur më lartë listë. Po flasim pra për problemin e listave të hapura. Listat e hapura nuk janë thjesht zotim i yni, nuk janë thjesht një qëndrim politikë, janë shprehje e atyre që marrim nga takimet e përditshme me njerëzit. Është kthimi i normalitetit në këtë hallkë të zinxhirit zgjedhor. Natyrisht e di që kundër listave të hapura ka shumë faktorë. Disa prej tyre janë pjesë e Partisë Demokratike”.

Basha tha se, “pushteti është një mjet për të zgjidhur hallet e njerëzve dhe jo për njerëzit një mjet për të ardhur dhe mbajtur pushtetin”.

Ai theksoi se, “listat e hapura janë A-ja e alfabetit tonë politikë kur vjen puna tek reforma zgjedhore”.

“Lista të hapura, pa kufizime, pa artifica, pa herës. Kush merr më shumë vota futet në parlament dhe përfaqëson me dinjitet qytetarët që e kanë votuar. Natyrisht në vetvete nuk mund të funksionojë pa disa zgjidhje të tjera. Ne e dimë që sot për shkak të zhvillimeve, elementë të cilët nuk kanë, nuk gëzojnë besimin e njerëzve, por përpiqen ta blejnë atë, janë në parlament, janë në bashki, janë në institucione. Një sistem i listave të hapura, i pavaksinuar ndaj të korruptuarve që përdorin paranë dhe krimit të organizuar që përdor paranë e pisët dhe mjetet e tjera për të diktuar personat që do në Kuvend, apo bashki apo institucione të tjera, pra vaksinimi i listave të hapura përmes vettingut të politikanëve. Kjo është një iniciativë e jona që në fakt është një përforcim i ligjit për dekriminalizimin”, deklaroi Basha.