Rama - Berisha - Meta dënojnë sulmin terrorist të Hamasit: Solidaritet dhe mbështetje për popullin dhe qeverinë izraelite

Kryeministri Edi Rama dënoi fuqishëm sulmin terrorist nga Hamasi kundër Izraelit.

“Ne qëndrojmë të vendosur kundër terrorizmit. Mendimet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe gjithë Izraelin”, shkruan kryeministri Rama.

Edhe Ish-kryeminisri Sali Berisha ka dënuar me forcë sulmin me raketa të Hamasit ndaj Izraelit.

Përmes rrjeteve sociale Sali Berisha thekson se Partia Demolratike shpreh mbështetjen e plotë të saj, Izraelit dhe qeverisë së tij në përballimin e këtij sulmi të pabesë dhe ngushellimet më të ndjera familjeve të viktimave dhe autoriteteve të Izraelit

“Sulm terrorist ndaj Izraelit! Grupe terroriste të Hamas ndërmorën nga Gaza një sulm terrorist të befasishëm me artileri dhe infiltrime të terroristëve në territorin e Izraelit. Breshëri predhash artilerie janë hedhur në Telaviv dhe Jeruzalem. Nga ky sulm terrorist kanë vdekur 22 qytetarë të pafajshëm dhe janë plagosur rreth 250 të tjerë. Nderkohë kryeministri Netanjahu ka deklaruar se Izraeli është në luftë dhe ushtria izraelite ka filluar goditje të forta ajrore kundër grupeve terroriste.

Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë sulm terrorist, që ka si synim të dëmotojë precesin historik të paqes me vendet arabe në të cilin janë angazhuar Izraeli dhe këto vende në kuadrin e marrëveshjeve Abraham, Partia Demolratike shpreh mbështetjen e plotë të saj, Izraelit dhe qeverisë së tij në përballimin e këtij sulmi të pabesë dhe ngushellimet më të ndjera familjeve të viktimave dhe autoriteteve të Izraelit dhe ju uron shërim të shpejtë të plagosurve të këtij sulmi barbar terrorist”, shprehet ish-kryeministri Sali Berisha.

Sulm terrorist e ka cilësuar edhe ish-Presidenti i Republikës, tashmë kryetar i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

“Dënoj me ashpërsi sulmin barbar terrorist dhe vrasjet e civilëve të pafajshëm në Izrael. Në emër të Partisë së Lirisë shpreh solidaritetin e plotë me shtetin dhe popullin e Izraelit.

Mendimet tona janë me familjet e viktimave dhe autoritetet e Izraelit të cilëve ju shpreh ngushëllimet më të ndjera! Shërim të shpejtë të plagosurve!”, shprehet Ilir Meta.

Ushtria izraelite ka shpallur gjendjen e luftës pas sulmeve masive sot në mëngjes ndaj Izraelit nga Rripi palestinez i Gazës.

Organizata militante Hamas nisi sulmet me qindra raketa dhe me infiltrimin e luftëtarëve të armatosur nga Rripi i Gazës në Izrael. Izraeli është kundërpërgjigjur dhe ka bombarduar Gazën.