“Universiteti i Tiranës s'është për ta turpëruar Shqipërinë”/ Rektori Artan Hoxha flet për rankimin: S'është e vërtetë që kemi rënë me 200 vende

Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha ka komentuar lajmin për rankimin e universitetit të Tiranës nga “Times Higher Education World University Rankings”, çka sipas tij nuk është përfundimtar, dhe është ende në përpunim.

Rektori Artan Hoxha mohoi faktin që Universiteti i Tiranës të ketë rënë me 200 vende në rankim, në kohën kur ky universitet futet për herë të parë në këtë proces.

Sipas rektorit, “në kriteret e rankimit, dy kategori janë të paplotësuara, sepse është ende në përpunim.”

Në fjalën e tij për gazetarët, ai shtoi se “Universiteti i Tiranës nuk është një universitet për ta turpëruar Shqipërinë, por e nderon atë.”

“Nuk është e vërtetë që UT ka rënë 200 vende, sepse ky rankim bëhet për herë të parë për universitetet e Shqipërisë, që domethënë kur futesh për herë të parë nuk ka as më lart as më poshtë.

Ky është një nga rankimet që është në përpunim, rezultatet i nxjerr në vitin 2024.

Në kriteret e rankimit, dy kategori janë të paplotësuara sepse është në përpunim.

Universiteti i Tiranës nuk ka nevojë të shitet as nga unë, as nga kush tjetër, sepse është në vetvete i tillë.

Përveç një rankimi ka edhe të tjera botërore që ne i njohim zyrtarisht. Universiteti i Tiranës ka një diferencë të lartë me institucionet e tjera brenda vendit me një numër pikësh mbi 2000 vende.

Në rang botëror, Universiteti i Tiranës nuk është një universitet për ta turpëruar Shqipërinë, por e nderon Shqipërinë”, tha rektori për gazetarët.

Universiteti i Tiranës hapi auditoret sot për mbi 20,000 studentët e tij, nga të cilët 3381 ulen për herë të parë .

Gjatë një takimi të zhvilluar me studentët e rinj të Fakultetit të Ekonomisë që u zhvillua në në sallën “Liria” në Qytetin Studenti ishin të pranishëm ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, rektori i UT-së, Prof.Dr. Artan Hoxha, dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Prof.Dr.Dhori Kule, pedagogë e studente.

Prof. Dr. Dhori Kule, Dekan i Fakultetit të Ekonomisë, ekspozoi standardet që ka sot ky fakultet, me një staf pedagogësh të kualifikuar me tituj e grada shkencore, si dhe aktiv në fushën e kërkimit shkencor.

“Kjo është një garanci për të tërhequr në këtë fushë edhe studentet e këtij fakulteti, që do të jenë të pasionuar pas studimit dhe kërkimit shkencor”, shtoi Kule.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, teksa vlerësoi Universitetin e Tiranës, foli për një Dokument Strategjik për Arsimin e Lartë, mbi të cilin do të mbështeten politikat orientuese për arsimin e lartë shqiptar në vijim, të cilat duhet të jenë politika afatgjata.

Manastirliu theksoi nevojën e profilizimit të universiteteve shqiptare, duke iu referuar kërkesave të kohës dhe tregut të punës, për të përgatitur profesionistë në fushat ku ka më shumë nevojë ekonomia kombëtare dhe shoqëria.

Gjithashtu, ministrja Manastirliu u shpreh se ndërkombëtarizimi është një shtyllë e rëndësishme për të rritur standardet e arsimit të lartë edhe në nivel ndërkombëtar.

“Hapja apo tkurrja e programeve ekzistuese në universitete duhet të bëhen mbi bazën e studimeve të thelluara, parashikimeve afatgjata dhe jo si zgjedhje të detyruara të momentit.

Ne do të vazhdojmë të mbështesim me bursa studentët ekselentë dhe programet prioritare që ka përcaktuar qeveria, por gjithashtu do ti orientojmë të rinjtë drejt profileve ku ka më shumë nevojë tregu dhe që diktojnë realitetet e reja të zhvillimit ekonomik e social”, tha Manastirliu.

Në të gjitha universitetet e vendit ka nisur sot viti i ri akademik. Janë mbi 121 mijë studentë në të gjithë vendin që kanë nisur sot universitetin, ndërsa mbi 20 mijë ulen për herë të parë në auditore.