SPASH jep alarmin: Rreth 5 mijë fëmijë nuk shkojnë në shkollë. Shkak, gjendja ekonomike. Janë të pambrojtur nga shfrytëzimi dhe kriminaliteti
Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë janë të shqetësuar për numrin e lartë të nxënësve që braktisin shkollat
Ndërsa viti i ri shkollor ka nisur, Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë u mblodh këtë të shtunë për të diskutuar disa nga problematikat.
Presidenti i Sindikatës, Nevrus Kaptelli e vuri theksin tek nxënësit që nuk shkojnë në shkolla dhe si shkak kryesor renditi ekonominë
Nevrus Kaptelli: “Nga rreth 350 mijë fëmijë në sistemin parauniversitar në vendin tonë, rreth 5 mijë nuk shkojnë shkollë. Dhe kjo për arsye nga më të ndryshmet, ku më kryesorja është gjendja e vështirë ekonomike që i detyron ata të braktisin shkollën dhe të punojnë. Nga statistikat që disponojmë më të shumtët në numër na rezultojnë se janë fëmijët e komuniteteve rome dhe egjiptiane”.
Sipas Kaptellit, kjo kategori nxënësish nuk i marrin tekstet falas sit ë tjerët.
Nevrus Kaptelli: “Në arsimin e mesëm të përgjithshëm dhe profesional nxënësit romë, egjiptianë dhe ata me aftësi të kufizuara nuk marrin tekste falas, edhe pse pjesa më e madhe e familjeve të tyre jetojnë nën minimumin jetik të varfërisë. Mospajisja me tekste shkollore falas e këtyre nxënësve ndikon drejtëpërdrejtë në mosndjekjen e shkollës, braktisjen e saj, martesat e hershme për vajzat, duke detyruar shumë prej që të bien pre e shfrytëzimit, të punësimit të hershëm, lypjes në rrugë, apo trafikimit dhe kriminalitetit”.
Sindikata gjithashtu ngriti problemin e migrimit të studentëve, ku sipas tyre 1 e 3 e tyre me rezultate të mira zgjedhin të largohen nga vendi, ndërsa nxënësit në shqipëri preferojnë më shumë universitetet private se ato shtetërore.


