BSH injektoi 45.41 miliardë lekë në 3-mujorin e dytë të 2023-it

Në tremujorin e dytë të vitit 2023, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë konsistuan në operacionet e tregut të hapur për injektim likuiditeti.

Sipas BSH-së, injektimi mesatar ditor nëpërmjet operacioneve injektuese të likuiditetit me maturim 1-13 javë është rritur në 45.41 miliardë lekë, kundrejt 34.89 miliardë lekësh në tremujorin e mëparshëm.

Banka Qendrore shpjegon se, mungesa është kthyer në vlera mbi mesataren e vitit 2022 dhe është stabilizuar në fund të periudhës rreth nivelit 56 miliardë lekë, kundrejt 36 miliardë lekë në fillim të periudhës.

Faktori kryesor i rritjes së mungesës ka qenë akumulimi i likuiditetit në llogarinë e qeverisë për rreth 32.7 miliardë lekë, 5.7 miliardë prej të cilave janë përdorur për të ulur shumën e marrëveshjeve SWAP me Bankën e Shqipërisë, si dhe efekti negativ i rritjes së parasë në qarkullim për 6.1 miliardë lekë me përqendrim në muajin qershor.

BSH theksobn se, pavarësisht rritjes së vazhdueshme të injektimeve të gjata nga 9.6 miliardë lekësh në fillim të tremujorit në 15.9 miliardë lekë në fund të tij, pesha e injektimeve të gjata nuk është rritur, pasi akumulimi i likuiditetit në llogaritë e qeverisë ka qenë më i shpejtë se vlerësimet tona.