Kreu i KLP: Kuadri ligjor për mbrojtjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve, i plotë
Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë u zhvillua sot një mbledhje me dyer të mbyllura, ku morën pjesë ministri i Brendshëm, Taulant Balla, kreu i KLP, Alfred Balla, kreu i SPAK, Altin Dumani, kreu i Gardës së Republikës, Gramos Sako, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe prokurori Kreshnik Ajazi, për të diskutuar mbi sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla deklaroi në një komunikim me gazetarët, pas mbledhjes me dyer të mbyllura se, kuadri ligjor për mbrojtjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve është i plotë.
Kreu i KLP tha se, në takim u fol për një bashkëpunim mes institucioneve, i cili do të jetë periodik edhe në vazhdim, ndërsa konfirmoi se u fol edhe për kërcënimet e dy prokuroreve nga grupi i Laert Haxhisë.
Ai tha se, Prokuroria ka komisionin e mbrojtjes së prokurorëve dhe në momentin që dikush ndihet i rrezikuar i drejtohet këtij komisioni dhe në mënyrë të menjëhershme i caktohet mbrojtje.
“Në të gjitha situata e krijuara në sistemin e drejtësisë dhe prokurorisë, bashkëpunimi jonë është institucional, ligjor, i prek të gjitha fushat. Ky është një bashkëpunim që do të vijojë periodikisht edhe në të ardhmen.
Sa i përket temës së eliminimit të dy prokuroreve , u prek edhe kjo në takim. Prokuroria ka komisionin e mbrojtjes së prokurorëve dhe çdo prokuror që e ndjen veten të rrezikuar, qoftë fizikisht, personalisht apo edhe për familjarët e tyre kanë të drejtë t’i drejtohen këtij komisioni dhe në mënyrë të menjëhershme i caktohet mbrojtje.
Dy prokuroreve i është caktuar mbrojtje, ndërsa avokati nuk varet nga ne, por ka të drejtën të kërkojë mbrojtje.
Prokurorja Merita Selimi varet nga KLP, ndërsa vendimi i Këshillit të Ministrave për prokurorët e SPAK, siç në këtë rast është Doloreza Musabelliu është i ndryshëm”, tha ndër të tjera kreu KLP-së, Alfred Balla.


