Ishte pjesë e Shqipërisë në Euro 2016, mesfushori firmos në divizionin e dytë grek
Ergys Kaçe ndryshon skuadër, por mbetet në Greqi. Mesfushori korçar do të jetë pjesë e skuadrës së ligës së dytë, Aiolikos. Vetë klubi ka njoftuar afrimin e ish-lojtarit të Kombëtares, i cili edicionin e shkuar ishte pjesë e Volso, në gjysmën e dytë të sezonit.
Kaçe luajti 12 ndeshje në kampionat me Volos, prej të cilave vetëm 6 si titullar. Ndërkohë që tani e pret një tjetër sfidë, teksa do të kërkojë që të ndihmojë Aiolikos për t’u ngjitur në Super Ligën e Greqisë.
Në postimin e klubit veçohet fakti se shqiptari është një lojtar me shumë eksperiencë. Dhe theksohet se ka luajtur 25 ndeshje me fanellën kuqezi të Shqipërisë, duke shënuar dhe 2 gola.
Po ashtu, përmendet dhe karriera e pasur e mesfushorit, i cili ka luajtur me PAOK, Panathinaikos, Larisa e Aris në Greqi. Dhe Viktoria Plzen (Çeki) dhe Panevezys (Lituani).
30-vjeçari u aktivizua për një periudhë të shkurtër dhe me Partizanin në Superiore, duke koleksionuar 13 ndeshje në kampionat. Kaçe është një nga lojtarët që ka qenë pjesë e skuadrës kuqezi që mori pjesë në finalet e Europianit Euro 2016, duke u aktivizuar në ndeshjen me Zvicrën në Lens.
