Në GIS-in kombëtar integrohen të dhënat dhe sistemet e informacionit gjeografik

Këshilli i Ministrave miratoi sot dokumentin për “Standardet shtetërore të GIS-it kombëtar”.

Sipas vendimit të qeverisë, në GIS-in kombëtar integrohen të dhënat dhe sistemet e informacionit gjeografik të krijuara për temat e nenit 11, të ligjit nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”.

Sipas nenit 11, temat e të dhënave gjeohapësinore përfshijnë: përcaktimin e kornizës referuese gjeodezike dhe kontrollin gjeodezik; sistemet e rrjeteve gjeografike; emërtimet gjeografike; imazhin e hartës bazë; kufijtë e njësive administrative; sistemin e adresave; parcelat kadastrale; rrjetet e transportit; hidrografinë; zonat e mbrojtura; modelin dixhital të terrenit; mbulesën e tokës; ortoimazherinë; gjeologjinë; njësitë statistikore; ndërtesat; pedologjinë; përdorimin e tokës; shëndetin e njerëzve dhe sigurinë e tij; infrastrukturën urbane dhe shërbimet qeveritare; infrastrukturën për monitorimin e mjedisit; infrastrukturën industriale; infrastrukturën bujqësore dhe akuakulturën; demografinë; zonat me përdorim të kufizuar; zonat me rreziqe natyrore; kushtet atmosferike; meteorologjinë; hidrologjinë; detet; zonat ekologjike; habitatet; shpërndarjen e specieve; burimet energjetike; burimet minerare.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe autoritetet përgjegjëse për mbledhjen, përpunimin dhe përditësimin e të dhënave gjeohapësinore për zbatimin e këtij vendimi.