Hasani në Nju Jork, kryeson debatin e hapur të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ndodhet në Nju Jork, ku do të marrë pjesë në takimet e nivelit të lartë në kuadër të Presidencës Shqiptare të Këshillit të Sigurimit dhe Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB.
Ministri Hasani do të kryesojë sot në orën 16:00 Debatin e Hapur të Nivelit të Lartë të Këshillit të Sigurimit mbi “Nxitjen e Partneritetit Publik-Privat në trajtimin e çështjeve humanitare”, e cila është një nismë e Shqipërisë.
Pak përpara fillimit të Debatit të Hapur, rreth orës 15:45, Ministri Hasani do të dalë në një deklaratë për mediat.
Debati i Hapur i Këshillit të Sigurimit synon të identifikojë dhe avancojë zgjidhje të partneritetit publik-privat në promovimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, duke adresuar nevojat aktuale dhe të ardhshme humanitare, të cilat, nëse nuk kontrollohen, kërcënojnë të shkaktojnë paqëndrueshmëri të mëtejshme tek rajonet e cenueshme dhe të përshkallëzojnë konfliktin mbi burimet jo të mjaftueshme.
Më 20 shtator, kryediplomati shqiptar do të marrë pjesë në takimin e Nivelit të Lartë të Këshillit të Sigurimit mbi Ukrainën, i cili do të kryesohet nga Kryeministri Edi Rama.
Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme do të takohet me homologë të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe do të marrë pjesë në takime me fokus Ballkanin Perëndimor, paqen dhe sigurinë etj.
Delegacioni shqiptar në OKB kryesohet nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dhe pjesë e tij janë Kryeministri Edi Rama dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Shqipëria për herë të parë në historinë e anëtarësimit të saj në OKB mban që prej janarit të vitit 2022 vendin e anëtarit jo të përhershëm të KS, mandati dyvjeçar i së cilës përfundon në dhjetor të këtij viti.


