Balluku nga shkolla "Olsi Lako": Ndihuni me fat, siç ndihemi ne me fat që ju kemi
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, vizitoi sot në Durrës shkollën “Olsi Lasko”, e cila është rikonstruktuar plotësisht, duke ofruar kushte dinjitoze e bashkëkohore për 775 nxënës.
Balluku ishte e shoqëruar nga përfaqësuesi i BE-së, Hubert Perr, përfaqësuesja e UNDP-së në Shqipëri, Monica Merino, si dhe kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako.
Zv/kryeministrja Balluku tha se shkolla ka tashmë të gjitha kapacitetet moderne që do t’u shërbejë edhe brezave të tjerë. Aktualisht kjo shkollë po i shërben një komuniteti prej 65 mijë banorësh.
“Kjo është një shkollë që ju sot do t’i merrni të gjitha frytet e kësaj infrastrukture për ti bashkuar me mundin tuaj dhe me sakrificat, por nga ana tjetër do t’i shërbejë dhe të gjithë brezave të tjerë, pasi i ka të gjitha kapacitetet moderne edhe për zgjerime të tjera. Kështu që ndihuni me fat, siç ndihemi ne me fat që ju kemi dhe që jeni kaq të mirë dhe që doni të kontribuoni për të ardhmen e Shqipërisë dhe ne me mbështetjen e miqve tanë e donatorëve sigurisht, Bashkimit Europian, UNDP do mundohemi të bëjmë më të mirën”, iu drejtua Balluku nxënësve të kësaj shkolle.
Ajo theksoi faktin se qeveria shqiptare ka vite që investon fuqishëm në arsim, dhe sport.
“Qeveria ka vite që investon në arsim në drejtim të infrastrukturës dhe në sport sigurisht, në drejtim të vendosjes së dinjitetit të mësuesve në vend, duke rritur pagat e tyre, duke krijuar transparencë dhe konkurrencë të drejtë përmes portaleve dhe jo emërime mësuesish që nuk arrinin të bënin detyrën e tyre. Të gjitha këto janë një ndryshim shumë i rëndësishëm, siç janë edhe kurrikulat jashtë shkollore, të cilat ne po mundohemi që ti fusim siç është kodimi, programimi, artet dhe zejet apo detyrat jashtë shkolle, të gjitha këto janë komponent të një strategjie që sot është e prekshme dhe nuk është vetëm fjalë”, theksoi më tej.
Shkolla e re është e pajisur me 5 laboratorë modernë, palestër, bibliotekë dhe sistem ngrohjeje dhe ftohjeje efikase në energji.
Përmes programit EU4Schools, më shumë se 11 mijë nxënës dhe 748 mësues filluan këtë shtator vitin shkollor në ambiente të reja. Gjithsej janë 44 shkolla të përfunduara dhe 16 janë aktualisht në ndërtim.