KONTRATA/ I dha pyllin për beton dhe gurore kushëririt, reagon kryebashkiaku Byberi: Akuza politike, nuk pengoj askënd të bëjë biznes në Tropojë

Një kontratë qiraje e muajit Gusht 2022 e firmosur mes kryetarit të Bashkisë Tropojë, Rexh Byberi dhe kushërit të tij, Avni Byberi, dhe e publikuar në “Ora News” pak ditë më parë është dëshmia se kryebashkiaku e trajton pasurinë publike në zonën e Tropojës, si një çiflig personal të kësaj familjeje.

Ndërkaq mbrëmjen e kësaj të mërkure në rrjetet sociale Byberi thekson se në Tropojë ka një komunitet të vogël dhe si i tillë ai nuk i pengon dot as kushërinjtë tij që të bëjnë biznes, edhe pse është në konflikt interesi lidhja e kontratave të tillë.

KONTRATA/ I dha pyllin për beton dhe gurore kushëririt, reagon

Bëhet fjalë për 14 hektarë të ekonomisë pyjore të cilat prej vitit 2022 u ndanë në mënyrë të njëanshme dhe preferenciale mes dy kushërinjve Byberi, ku njëri përfaqëson dhe drejton bashkinë Tropojë, ndërsa tjetri administron subjektin tregtar të ndërtimit “Byberi”.

Pak ditw mw parë Ora News publikoi kontratën e plotë të qirasë, ku dy kushërinjtë kanë firmosur dhe vulosur, për administrimin e pronës publike, kundrejt një shume financiare prej 2 milionë e 68 mijë lekë të vjetra.

Sipërfaqja pyjore është dhënë për një periudhë kohe prej 9 vite dhe bie në kundërshtim me ligjin për konfliktin e interesit të zyrtarë dhe funksionarëve publikë.

Ndarja e pasurisë publike, përmes përdorimit të formulës së nepotizmit, ku i zgjedhuri vendor Rexhë Byberi firmos për llogari të të afërmit të tij, ka çuar një grup banorësh të Tropojës, t’i drejtohet me një ankesë zyrës së Inspektoriatit të Deklarimit të Pasurisë dhe Konflikt të Interesit.

Banorët kërkojnë nga ILDKPKI-ja të mari masa ligjorë dhe penalizojë kryetarin e Bashkisë Rexhë Byberi, për shkak se në konflikt të hapur të interesit dhe në papajtushmëri me detyrën, ka firmosur duke i dhënë fondin pyjor kushëririt të tij, Avni Byberi.

Më tej ky i fundit duke përdorur mjetet e transportit të rëndë të kompanisë së ndërtimit “Byberi”, ka hapur në këtë fond pyjor një gurore dhe ka instaluar impiant për prodhimin e betonit.

Zona në fjalë është një fond pyjor i ekosistemit dhe i shërben për atraksione turistike.

Ndërsa kushëriri i Rexhë Byberit, ka vendosur të hapi një gurore, duke sjellë dëme të pariparueshme në mjedis.

Njëherësh të kërcënojë dhe veprimtarinë e bujtinave turistike që ndodhen për rreth fondit pyjor, ku është njgritur gurorja.

Jo më larg se 8 ditë më parë, “Ora News” transmetoi pamjet filmike teksa IKMT dhe Policia e Shtetit zhvilluan një aksion duke prishur ambjentet e instalimit të impiantit të betonit në guroren e kompanisë “Byberi”.

Veprimi i policisë erdhi dy ditë pasi dhjetëra banorë të zonës, ju drejtuan me një kallëzim penal prokurorisë së Posaçme SPAK, duke kërkuar ndjekjen penale të kryetarit të bashkisë Tropojë, Rexhë Byberi për akuzat e "korrupsionit pasiv" dhe "Shpërdorimit të detyrës".

Por përtej akuzave në reagimin e tij përmes rrjeteve sociale, kryebashkiaku i Tropojës i cilëson këto akuza të pavërteta dhe sulme politike ndaj tij.

Reagimi i plotë i Rexh Byberit

Asnjëherë nuk meritojnë përgjigje shpifësit dhe intrigantët politikë, por në respekt të qytetarëve të Tropojës, të cilët më kanë mbështetur gjatë gjithë udhëtimit tim si Kryebashkiak i Tropojës, sqaroj sa më poshtë:

E gjithë fushata kundër meje dhe tymnajat mediatike të ditëve të fundit në lidhje me një biznes të një njeriu të afërm nuk ka asnjë të vërtetë përveç dëshpërimin e atyre që humbën përgjithmonë pushtetin në Tropojë.

Ne jemi një komunitet i vogël dhe të gjithë kemi lidhje familjare, ndaj qenia ime në këtë detyrë nuk presupozon ndalimin e të afërmëve të mi që brenda normave ligjore zhvillojnë aktivitete private biznesi.

Të gjithë jemi dëshmitarë se personat për të cilët aludohet herë pas here kanë aktivitet të liçensuara prej 30 vitesh, por dihet botërisht që ky është një sulm politik i pastër në kuadrin e pamundësisë për t’u përballur me votën dhe verdiktin e qytetarëve të Tropojës.

Unë jetoj dhe punoj në shërbimin publik ndaj qytetarëve të vendlindjes prej 3 dekadash dhe çdo hap timin e kam të bazuar në punën, përkushtimin dhe dëshirën për të shërbyer komunitetit, pa e fshehur parimin themelor që më udhëheq:

“Tropoja Është Partia Ime ".

Kam jetuar dhe jetoj në këtë qytet me gjithë familjen time pa ndërprerë, edhe në ditët më të errëta për Tropojën dhe Shqipërinë.

Prandaj, asnjë presion politik ose njerëzor nga "jabanxhinjtë" dhe përfituesit e Tiranës nuk më ndalojnë në misionin tim për zhvillimin dhe përparimin e Tropojës në çdo cep të saj.

Ata që kanë të vetmen armë shpifjen dhe sulmet tinezare në media bajate klanore i verbërojnë investimet në infrastrukturën e Tropojës, të gjitha të kryera ekskluzivisht me fondet e Bashkisë, duke menaxhuar me kujdes dhe transparencë taksat e qytetarëve, të cilat në kohën e tyre kanë përfunduar në xhepa dhe vila, si dhe në financimin e inkursioneve dhe mitingjeve politike në Tiranë.

Kjo kohë ka përfunduar.

Tropoja, nga vendi i frikshëm prej politikës së tyre të mbrapshtë, sot është kthyer në Mbretereshën e Turizmit Rajonal.

Nuk dua të zgjatem në punët që janë kryer dhe do të kryhen në Tropojë, pasi janë qytetarët e saj që i vlerësojnë, dhe të gjithë para meje si Kryebashkiak janë të barabartë pa dallime politike dhe klanore.

Këtë komunikim me qytetarët e bëj si gjithmonë për hir të transparencës, pasi nuk kam as arsye dhe as kohë të përfshihem në vorbullën e zezë të intrigave të dëshpëruara.

Sa herë përballem me baltosje të tilla të pamerituara, kujtoj fjalët e Çurçillit të madh:

"Nëse gjuajmë me gurë çdo qen që hasim rrugës, kurrë nuk do të arrijmë në shtëpi".

Si gjithmonë, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për komunitetin fisnik të Tropojës, i cili më ka mbështetur pa kursim dhe më insipron çdo ditë për vullnet të shtuar si kryeshërbëtor i tyre.

Dokumenta bashkëngjitur