"Rikonstruksioni dhe asfaltim i rrugës “Theofan Popa” në Elbasan, qeveria miraton fondin e shpronësimit

Qeveria ka vendosur që të shpronësojë pronarët që preken nga rikonstruksioni dhe asfaltim i rrugës “Theofan Popa” në Elbasan.

Vlera e shpronësimeve është 11 975 209.6 (njëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë e dyqind e nëntë pikë gjashtë) lekësh, dhe do të mbulohet nga Bashkia Elbasan.

Sipas vendimit të botuar në fletoren zyrtare, lekujdimi i pronarëve do të bëhet brenda 3 muajve të ardhshëm.

V E N D I M PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSION DHE ASFALTIM I RRUGËS “THEOFAN POPA”, BASHKIA ELBASAN”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksion dhe asfaltim i rrugës “Theofan Popa”, Bashkia Elbasan”.

Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Elbasan.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 11 975 209.6 (njëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë e dyqind e nëntë pikë gjashtë) lekësh.

Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 11 975 209.6 (njëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë e dyqind e nëntë pikë gjashtë) lekësh, përballohet nga Bashkia Elbasan.

Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Elbasan.

Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Elbasan.

Bashkia Elbasan kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Elbasan.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Elbasan për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Elbasan për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.

Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Elbasan, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.