Parkuan automjetet brenda shkollës, ndëshkohen me gjobë tre drejtuesit në Dibër
3 drejtues mjetesh janë gjobitur nga policia e Dibrës, pasi shkelën perimetrin e sigurisë duke parkuar automjetet pranë shkollës. Automjetet që ishin parkuar brenda ambienteve të shkollës janë larguar pastaj nga policia me karrotrec.
Njoftimi i policisë Dibër:
Dibër/ Shkelën perimterin e sigurisë, duke parkuar automjetet pranë shkollës, Policia ndëshkon me masë administrative 3 drejtuesit e mjeteve dhe i largon ato me karrotrec.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në vijim të angazhimit maksimal për zbatimin me korrektësi të masave të përcaktuara në paketën e sigurisë në shkolla, falë dhe bashkëpunimit me qytetarët, kanë konstatuar disa automjete të parkuara brenda perimetrit të sigurisë të një shkolle të mesme në qytetin e Peshkopisë.
Menjëherë janë identifikuar dhe ndëshkuar me masa administrative drejtuesit e automjeteve që kishin parkuar brenda perimetrit të sigurisë së shkollës dhe më pas është bërë heqja e tyre me karrotrec.
Policia e Dibrës apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe ambulantët që tentojnë të shesin në afërsi të shkollave, të zbatojnë me korrektësi perimetrin e suigurisë së shkollave, pasi Policia është e vendosur për të zbatuar ligjin dhe nuk do të tolerojë asnjë shkelje të tillë.
