Kujdes fëmijët nga kanabisi! Dervishi: Prindërimi nuk është vetëm ushqim dhe strehim
Rreziku i fëmijëve për t’u shndërruar në konsumator të kanabisit ka vënë në alarm sociologët. Sipas tyre në shumë familje si qëllim po shihet sigurimi i ushqimit dhe i strehimit. Por lënia jashtë vëmendjes së problemeve të rritjes i kthen të miturit në pre të grupeve të krimit. Ndër të tjera ata japin dhe disa mënyra se si mund të dallohet kur një person konsumon lëndë narkotike
Kjo video tregon një nga rreziqet me të cilat përballen sot fëmijët.
Ky person shfaqet duke i dhënë një cigare kanabisi këtij të mituri.
Shpejt, nëse nuk ndihmohet në kohë ai do të jetë konsumator i rregullt. Por si mund të dallohet kur një fëmijë konsumon lëndë narkotike
Zyhdi Dervishi, sociolog: “Për hir të së vërtetës, konsumimi i hashashit evidentohet shumë lehtë, ai i drogërave të tjera është pak më i vështirë. Sepse hashashi i cili është më i përhapur në shoqërinë shqiptare dhe mban erë të rëndë. Nëse një person që ka konsumuar cigare hashashi dhe kalon në rrugë ai identifikohet lehtësisht”.
Prindërimi është një sfidë e vështirë por për sociologët kjo nuk duhet të kufizohet vetëm te sigurimi i ushqimit dhe strehimit.
Zyhdi Dervishi, sociolog: “Ka shumë prindër të cilët mendojnë se i kanë zgjidhur problemet me fëmijët e tyre vetëm nëse i japin për të ngrënë dhe i veshin”.
Për sociologun Zyhdi Dervishi jo vetëm prindërit por edhe skollat e institucionet e tjera përgjegjëse duhet të jenë më të kujdesshëm ndaj rreziqeve që iu kanosen fëmijëve.
Zyhdi Dervishi, sociolog: “Kontrolli dhe menaxhimi i shoqërizimit të fëmijëve ndahet në dy pjesë; njërën e kanë prindërit, pjesën tjetër e kanë strukturat përkatëse që i presin dhe i menaxhojnë fëmijët. Shoqëria shqiptare ka nevojë që të ristrukturojë dhe sistemet e kopshteve dhe të shkollave. Dhe e dyta të kultivojë dhe të edukojë edhe prindërit”.
Për Dervishin kujdesi ndaj fëmijëve nuk është vetëm detyrë, por një mision për të siguruar të ardhmen e tyre por dhe të shoqërisë.


