Sylvinho “refuzon” lojën e bukur dhe kërkon pikë me Poloninë e Çekinë (VIDEO)
Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Sylvinho foli përpara mediave për listën me emrat e grumbulluar në prag të sfidave me Çekinë dhe Poloninë. Fillimisht ai u ndal te çështja e portës por edhe tek sfida shumë e vështirë në Pragë.
"Nuk është momenti më i mirë për portën tonë me Berishën dhe Strakoshën. Ne kemi besim si te Berisha dhe Strakosha sepse kanë shumë eksperiencë.
Për këto dy ndeshje kemi bërë zgjedhje duke u bazuar te karakteristikat e kundërshtarëve. Nga marsi deri tani kemi grumbulluar plot 36 lojtarë. Në listën e pritjes kemi 51 lojtarë dhe aty bëjmë zgjedhjet tona. Sa i përket Abrashit e njohim, ka bërë shumë për Shqipërinë, por në këto ndeshje kemi bërë zgjedhje që i përshtaten kundërshtarëve. Për këtë arsye kemi marrë Gjasulën sepse është i gjatë dhe ka fizik. Mehmeti është lojtar i ri, por mendoj se zgjedhja e duhur ishte Roshi, i cili ka një avantazh që e favorizojnë centimetrat. Gjithashtu mund të bëjë diferencën kur futet në fushë.
Kemi mbulimin e duhur në të gjitha repartet dhe kemi gjithashtu nivelin e duhur. Bëhet fjalë për lojtarë me eksperiencë dhe që janë aktivizuar rregullisht. Vështirësia është shumë e madhe ndaj dy rivalëve shumë të fortë.
Në Çeki duhet të luajmë sa më fort dhe të bëjmë një ndeshje shumë të mirë. Ne luajmë shanset tona dhe nuk ka rëndësi nëse e mbajmë ose jo topin. E rëndësishme është që të marrim maksimumin nga këto dy ndeshje. Strategjia jonë nuk do të ndryshojë në bazë të karakteristikave të kundërshtarëve.
Objektivi është kualifikimi por tani duhet të luajmë fort për të shkuar në tetor me asistin në këmbë për t’u kualifikuar. Të gjithë lojtarët që kam grumbulluar janë entuziastë dhe në këto dy ndeshje duhet të shkojmë me bindje dhe seriozitet e jam i bindur se vetëm kështu mund t’ia dalim
Llogaritë duhet t’i bëjmë në nëntor. Në këto momente të gjitha forcat tona duhet të përqëndrohen te Çekia që ka një skuadër të fortë me lojtarë shumë të mirë. Janë 90 minuta dhe ne mund të shkojmë aty e të luajmë një ndeshje të mirë e mund të marrim pikë por unë kam bindjen që duhet të fitojmë sepse vetëm një sukses do ta na jepte bindjen për të shkuar me optimizëm në nëntor. Duhet dhe mundemi të fitojmë".

Ne vijim ai foli edhe për mungesën e grumbullimeve nga Superiorja:
“Kampionati shqiptar ka lojtarë të rëndësishëm por ne thjesht menduam që nuk është momenti i duhur për t’i thirrur. Unë nuk nisem nga fakti nëse luajnë në Shqipëri ose jo. Në listë janë 51 emra dhe shpesh herë shumë prej tyre duhet të jenë në pritje. Hardoj, Rapaj, Sheri apo Kasa janë gjithmonë në vëmendjen tonë.
Sigurisht që ky fakt që kemi stadium plot më jep kënaqësi. E pamë edhe ndeshjen me Moldavinë, një ndeshje fantastike por edhe në Çeki do të ketë 4 ose 5 mijë dhe do të jetë plot këtu me Poloninë. Është edhe përgjegjësi por puna jonë është në fushë dhe stadiumi do të na jepte shumë kënaqësi"
