Parlamenti polak ngre komisionin për hetimin e ndikimit rus në politikën e vendit
Parlamenti i Polonisë emëroi dje anëtarët e një komisioni të diskutueshëm për të hetuar ndikimin rus në politikën e vendit, anëtar i BE-së.
Ligjvënësit e partisë në pushtet ”Ligj dhe Drejtësi” (PiS) konfirmuan të nëntë kandidatët që grupi i tyre parlamentar kishte propozuar për organin.
Partitë opozitare nuk propozuan asnjë kandidat të tyren dhe, me përjashtim të partisë së djathtë “Konfederacja”, nuk morën pjesë në votim.
Polonia do të zhvillojë zgjedhjet parlamentare më 15 tetor.
PiS, e cila është në pushtet që nga viti 2015, është vënë nën presion për shkak të inflacionit të lartë, skandaleve të ndryshme dhe nepotizmit.
Në këtë sfond, PiS prezantoi një ligj të ri për të krijuar “Komisionin e Rusisë”, i cili pritet të shqyrtojë ndikimin rus në vend.
Në veçanti, organi duhet të hetojë nëse zyrtarët publikë kanë marrë vendime të ndikuar nga Moska midis 2007 dhe 2022, që mund të rrezikojnë sigurinë e Polonisë.
Fillimisht, komisioni do të kishte fuqinë për të ndaluar zyrtarët nga detyra deri në 10 vjet.
Megjithatë, pas kritikave të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, ligji u zbut.
Kundërshtarët e PiS thanë se komisioni shënjestron liderin e opozitës Donald Tusk, i cili ka qenë kryeministri i Polonisë dhe president i Këshillit Evropian.
Ai tani është kreu i partisë më të madhe opozitare të Polonisë, Platforma Qytetare liberal-konservatore (PO).
PiS e akuzon atë se ka kultivuar kontakte të ngushta me Rusinë gjatë kohës kur ishte kryeministër midis viteve 2007 dhe 2014.
Tusk ka planifikuar të rrëzojë nga pushteti qeverinë e PiS, në zgjedhjet e ardhshme dhe të bëhet vetë kryeministër.
