Të rinjtë në SHBA fitojnë gjyqin kundër shtetit të Montanas

Një grup të rinjsh në shtetin amerikan Montana kanë fituar gjyqin ndaj qeverisë, që e kishin paditur për shkeljen e të drejtës së tyre kushtetuese për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm.

Sipas mediave, ky është rasti i parë që sfidonte politikat shtetërore dhe kombëtare të klimës dhe energjisë në SHBA, dhe tashmë i pari që u fitua nga paditësit.

Në vendimin prej 103 faqesh, Gjykata e Shkallës së Parë ka argumentur se vendosi në favor të 16 të rinjve duke u bazuar në vetë Kushtetutën e shtetit.

Dokumenti 50-vjeçar deklaron se ‘’qytetarët kanë të drejtë për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm dhe se çdo banorë në Montana do ta ruajë dhe përmirësojë atë për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm".

Me dekretin e saj, gjykata gjithashtu shfuqizoi si antikushtetuese disa ligje që promovonin lëndët djegëse fosile pa marrë parasysh ndryshimin e klimës.

‘Paditësit kanë provuar qëndrimin e tyre për të ngritur çështjen duke treguar dëme të rëndësishme, rolin thelbësor të qeverisë në shkaktimin e tyre, dhe një gjykim në favor të tyre do të ndryshonte sjelljen e qeverisë’ vijon argumentimi në vendimin e institucionit të drejtësisë.

Në gjyq u përfshinë dëshmi nga 10 dëshmitarë ekspertë, si dhe 12 nga 16 të rinjtë që ngritën çështjen afro 3 vjet më parë.
Ata nuk kërkuan asnjë shpërblim monetar në këmbim. Në vend të kësaj, paditën për të mbrojtur të drejtën e tyre për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm dhe për të shijuar tokat publike që kërcënohen nga thatësira, nxehtësia, zjarret, tymi dhe përmbytjet.

Shteti ka 60 ditë për të vendosur nëse do ta apelojë vendimin në Gjykatën e Lartë