Panik në rrugë/ 5 milionë bletë ranë nga kamioni, pickohet mbi 100 herë shoferi

Bletari Michael Barber, u zgjua të mërkurën në mëngjes nga disa thirrje nga policia në kërkim të ndihmës pasi pesë milionë bletë ranë nga një kamion në Kanada.

Teksa kosheret po transportoheshin në një vend tjetër, rripat që i mbanin kosheret u zgjidhën, duke mundësuar lirimin e bletëve.

Bletari tha se arriti në "një re mjaft të çmendur bletësh", të cilat ishin "shumë të zemëruara, të hutuara dhe të pastreha".

Drejtuesit e mjeteve u lajmëruan që të mos ulnin xhamat, ndërsa këmbësorët të mos kalonin nga ajo rrugë.

"Kishte ndoshta një mijë bletë në pjesën e përparme të kamionit tim", tha Barber.

Në makinat që ndodheshin aty, disa nga bletët më të reja ishin grumbulluar, gjë që sipas bletarit, e bëjnë kur kërkojnë siguri.

Bletë të tjera, që ishin më të zemëruara dhe më të vjetra, gumëzhinin përreth.

Pas disa orësh, shumica e bletëve ishin në gjendje të gjenin kosheret e tyre, por qindra bletë të tjera nuk i mbijetuan aksidentit.

Disa nga bletarët u thumbuan, por ai që e përjetoi më keq ngjarjen ishte shoferi i kamionit, i cili u thumbua më shumë se 100 herë, në trup dhe fytyrë pasi nuk kishte veshur një kostum bletari.

Për fatin e tij të mirë mjekët e ndihmës së shpejtë ishin afër dhe ai nuk u lëndua më rëndë.