Kirby: Rusia negocion marrëveshje armësh me Korenë e Veriut
Rusia dhe Koreja e Veriut po negociojnë një marrëveshje armësh mes luftës në Ukrainë, tha dje administrata e Biden.
“Negociatat e armëve midis Rusisë dhe Koresë së Veriut po përparojnë në mënyrë aktive”, tha kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Uashingtonit, John Kirby.
“Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu udhëtoi kohët e fundit në Korenë e Veriut për t’u përpjekur të bindë Phenianin që t’i shesë municione Rusisë”, shtoi Kirby.
“Që nga ajo vizitë, presidenti rus, Vladimir Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un kanë shkëmbyer letra, duke u zotuar të rrisin bashkëpunimin e tyre dypalësh”, tha zyrtari amerikan.
“Informacionet tregojnë se pas asaj vizite të shkurtër, një grup tjetër zyrtarësh rusë udhëtoi në Phenian për të ndjekur diskutimet rreth marrëveshjeve të mundshme të armëve midis Koresë së Veriut dhe Rusisë”, tha ai.
Me marrëveshjet e parashikuara të armëve, Rusia do të merrte nga Koreja e Veriut sasi të konsiderueshme armësh dhe disa lloje municionesh që ushtria ruse synon të përdorë në Ukrainë”, tha Kirby.
Ndërkohë një bombardim ajror nga forcat e Kremlinit ka lënë të paktën gjashtë civilë të vdekur në Ukrainë, ndërsa Kievi ka hyrë thellë në territorin rus me sulmin e tij më të madh me dronë deri tani.
