Koreja e Veriut reagon ndaj manovrave ushtarake SHBA-Kore e Jugut

Koreja e Veriut organizoi dje “manovra taktike bërthamore” , sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA.

Agjencia tha se manovra synonte taktikën e “tokës së djegur” në qendrat kryesore të komandës dhe aeroportet operative në Korenë e Jugut, në përgjigje të stërvitjeve ushtarake të vazhdueshme nga SHBA-ja dhe forcat e armatosura të Koresë së Jugut.

Koreja e Veriut i referohej lëshimit të dy raketave balistike, të cilat, sipas ushtrisë së Koresë së Jugut, fluturuan rreth 360 kilometra në drejtim të Detit Lindor, i njohur gjithashtu si Deti i Japonisë, përpara se të binin dje në ujë.

“Njësia raketore e Ushtrisë Popullore Koreane (KPA) e kreu me saktësi misionin e saj të goditjes bërthamore përmes shpërthimeve ajrore në një lartësi të paracaktuar prej 400 metrash mbi ishullin e synuar”, tha KCNA, duke cituar shtabin e përgjithshëm në Phenian.

“Manovra synon të dërgojë një mesazh të qartë për armiqtë”, thuhet në raport.

“KPA nuk do t’i anashkalojë kurrë aktet e nxituara të forcave amerikane dhe të “gangsterëve ushtarakë” të Koresë së Jugut”, sipas raportit.

SHBA-ja dhe Koreja e Jugut ndërmorën dje një stërvitje të forcave ajrore mbi Detin e Verdhë midis Gadishullit Korean dhe Kinës.

Manovra u zhvillua në lidhje me stërvitjen e përbashkët ushtarake 11-ditore “Mburoja e Lirisë”, e cila do të përfundojë sot.

Koreja e Veriut ka akuzuar rregullisht Korenë e Jugut dhe SHBA-në se po përdorin manovrat e tyre vjetore të përbashkëta ushtarake për t’u përgatitur për një sulm, gjë që Uashingtoni dhe Seuli e kanë mohuar.