Rama te “Shefqet Ndroqi”: Sterilizimi siguri për ndërhyrjet operatore, hetimi i SPAK nuk cënon suksesin e nismës
Kryeministri Edi Rama inspektoi sot Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, një nga 17 centralet e reja të krijuara falë Partneritetit Publik Privat të sterilizimit.
I shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kryeministri Rama pa nga afër ambientet e këtij spitali, ndërsa u informua nga mjekët mbi përfitimet që garanton procesi i sterilizimit.
Rama theksoi se “kjo ka garantuar një standard krejt të ri sigurie për ndërhyrjet operatore, duke e kthyer njëherë e mirë faqen e turpit e të pasigurisë në sallat e operacioneve, duke ulur në minimum fenomenin e vjetër të infeksioneve post-operatore si pasojë e mungesës së sterilizimit të vërtetë, si edhe duke i kursyer shtetit dhjetëra miliona euro nga ulja e ditëve të qëndrimit në spitale pas operacioneve”.
“Hetimi i SPAK-ut për abuzime të mundshme në procesin e ndërtimit të këtij Partneriteti Publik Privat, nuk e cënon aspak suksesin e prekshëm të kësaj nisme madhore të qeverisë shqiptare për Rilindjen e Shëndetësisë, por siguron që askush të mos mbetet i pandëshkuar nëse ia bën me hile shtetit dhe popullit shqiptar, duke nxjerrë përfitime vetjake të paligjshme gjatë kryerjes së detyrës në punën për qëllimin e përbashkët”, shtoi Rama.
Kryeministri pa nga afër mjetet e vjetra që përdoreshin për ndërhyrjet kirurgjikale para koncesionit të sterilizimit.
“Këto tani duken si ato të tregimit të atij partizanit që i prisnin këmbën me sharrë. Por ndërkohë një nga gjërat që janë shumë evidente sot dhe që unë e lexona nga një person që është shumë kritik me ne, Irena Beqiraj, ish zv-ministrja jonë e Financave që ka qëndrime shumë kritike ndaj nesh.
Një nga kalkulimet që bënte Irena në mënyrë krejt të pavarur konfirmon atë që ne e kemi thënë. Vetëm ulja e ditëve pas operacionit të qëndrimit në spital ka sjellë një përfitueshmëri financiare që është më e lartë se sa gjithë shpenzimi total që është bërë për këtë proces dhe gjithë kostoja e përgjithshme e parashikuar për procesin sot që flasim”, theksoi kryeministri Edi Rama.
Po ashtu, kreu i Ekzekutivit siguroi se rritja e rrogave për mjekët e infermierët vazhdon.
“Rrogat e mjekëve dhe infermierëve do të bëhen aq sa nëse llogaritet sa ngelet në fund, të ngelet sa në Gjermani. Se ata e kanë më të lartë rrogën, por ndërkohë kanë taska e sigurime më të larta”, shtoi Rama.
Nga ana e saj, ministrja Manastirliu u shpreh se kemi mundësuar që të kemi ndërhyrje operatore të sigurta për çdo pacient që i nënshtrohet ndërhyrjeve kirurgjikale.
“Sot inspektojmë një prej 17 centraleve, impianteve të investuara në kuadër të Partneritetit Publik Privat për shërbimin e integruar të gjithë setit të instrumenteve. Të investimit për sterilizimin, autoklavat, gjithë setet njëpërdorimshme, dezinfektimin e sallës, pra 5 procese, të cilat kryhen në mënyrë të njëtrajtshme në 17 centralet dhe subcentralet e investuara në spitalet tona rajonale, universitare dhe bashkiake ku tashmë në vitin e 7 presim dhe një riinvestim në të gjithë strukturën dhe rrjetin e investimeve. Kemi mundësuar që të kemi ndërhyrje operatore të sigurta për çdo pacient që i nënshtrohet ndërhyrjeve kirurgjikale”, tha ajo.
Programi i shërbimeve të integruara dhe sterilizimit të instrumenteve kirurgjikalë, fryt i Partneritetit Publik Privat, i ka dhënë fund njëherë e përgjithmonë, në Shqipëri trashëgimisë së autoklavave të amortizuara dhe instrumenteve kirurgjikalë që shkaktonin përhapjen e infeksioneve spitalore dhe infeksioneve postoperatore tej normave të lejuara, dhe cenonin sigurinë e jetës së pacientëve.
Që prej vitit 2016, programi i sterilizimit dhe instrumenteve të rinj kirurgjikalë, si shërbim i integruar është shtrirë në 29 spitale në shkallë vendi, duke garantuar një standard të ri shërbimi në spitalet publike.




