Ekonomi në Forumin e Bled, diskutime për të gjeneruar ide mbi sfidat aktuale dhe të ardhshme

Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi mori pjesë në konferencën ndërkombëtare të forumit strategjik të Bled, konferencë lider në Europën Qendrore dhe Jug-Lindore që bën bashkë çdo vit liderë nga e gjithë bota për të shkëmbyer këndvështrime dhe për të gjeneruar ide mbi sfidat aktuale dhe të ardhshme.

Në sesionin “Transformimi digjital në rajonin e Ballkanit Perëndimor” të takimit ministerial, Ekonomi ndau përvojën e Shqipërisë mbi revolucionin digjital që ka kaluar, sfidat me të cilat u përball vendi dhe projeksionet për axhendën digjitale të “Shqipëria 2030”.

“Në diskutimet me homologë nga Sllovenia, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Serbia e Bosnje Hercegovina shkëmbyem praktikat më të mira mbi përfshirjen e digjitalizimit në politika dhe rregullore, investimet në infrastrukturë digjitale për të siguruar akses dhe besueshmëri për qytetarët, rritjen e aftësimit digjital midis qytetarëve, krijimin e mekanizmave të fortë të mbrojtjes së të dhënave, monitorimin e efektivitetit dhe zbatimi i mjeteve për reagimet e qytetarëve, nxitjen e kulturës së inovacionit dhe bashkëkrijimit duke mbështetur nisma teknologjike”, u shpreh Ekonomi.