Sllovenia bën bashkë krerët e Ballkanit, çfarë do të diskutohet për 2 ditë në Forumin Strategjik të Bledit

Kryeministri Edi Rama prej mbrëmjes së të dielës ndodhet në Slloveni, ku do të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit, që do të zhvillohet më 28-29 gusht.

Forumi i Bledit do të zhvillohet në prani të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe liderëve nga Evropa Qendrore.

Forumi zhvillohet çdo vit në fund të verës, si një platformë gjithëpërfshirëse me një pjesëmarrje të larmishme personalitetesh nga fusha e politikës, diplomacisë, ekonomisë, sektorit privat e publik dhe akademikë, të cilët mblidhen së bashku për të diskutuar sfidat kryesore në shekullin e XXI-të.

Qëllimi i Forumit është të inkurajojë aktorët pjesëmarrës për të diskutuar dhe shkëmbyer mendime dhe për të gjetur zgjidhje novatore për sfidat rajonale dhe globale.

Të pranishëm janë gjithashtu edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Kristo si dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon.

Mbrëmjen e djeshme kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga darka e mikpritjes së kryeministrit të Sllovenisë, Robert Golob.

“Në darkën e mikpritjes së Kryeministrit të Sllovenisë, Robert Golob, me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, e me kolegët e rajonit në vigjilje të Forumit Strategjik të Bledit nesër”, shkruan Rama.

Sllovenia bën bashkë krerët e Ballkanit, çfarë do

Nga ana e tij, kryeministri Albin Kurti në darkën e punës së kryeministrit të Sllovenisë ka thënë se respekti ndaj minoriteteve dhe njohja reciproke janë parakushte për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Mesazhe inkurajuese nga Kryeministri i Sllovenisë Robert Golob mbi zgjerimin e BE-së dhe mundësitë për Ballkanin Perëndimor. Unë i bëra jehonë thirrjes për një qasje të bazuar në vlera ndaj anëtarësimit në BE, të fokusuar në respektimin e pakicave dhe me njohjen reciproke si parakusht”, ka shkruar Kurti në platformën “X”.

Kurse, Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon ka komentuar takimin duke e quajtur “Mbledhje të madhe me të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor”

“Ne duhet të mendojmë jashtë kornizave dhe të përshpejtojmë procesin e zgjerimit. Procesi i bazuar në vlerë na bashkon. Sllovenia do të vazhdojë të punojë shumë për ta sjellë Ballkanin Perëndimorë më afër Bashkimit Evropian”, ka shkruar Fajon.