Presidenti Begaj pret David Wisner: Mbështetja e SHBA-së në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, thelbësore
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot të Ngarkuarin me Punë të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, David Wisner.
Gjatë takimit, kreu i Shtetit rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Begaj theksoi gjithashtu rolin kyç të SHBA-së në konsolidimin e demokracisë në Shqipëri.
Në këtë kuadër, Presidenti Begaj e konsideroi thelbësore mbështetjen e SHBA-së në rritjen e efikasitetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në vendin tonë.
"Prita në takim David Wisner, që sapo ka marrë detyrën si i Ngarkuari me Punë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
Rikonfirmova angazhimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj partneritetit tonë strategjik dhe theksova rolin kyç të SHBA-së në avancimin e demokracisë sonë", thekson Presidenti Begaj në njoftimin përmes rrjeteve sociale, ku ka publikuar dhe pamjet e këtij takimi.

