Krasniqi fiton ndaj Nadjib Mohammedit në “Fadil Vokrri”, ia merr këngës në ring (Video)

Robin (Haxhi) Krasniqi ka fituar meçin kryesor të mbrëmjes së boksit në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ishte një mbrëmje me  plot zhvillime që përfundoi me fitoren diskutabile të Krasniqit ndaj boksierit nga Franca, Nadjib Mohammedi. Meçi i kategorisë gjysmë të rëndë përfundoi në mënyrë diskutabile.

Mohammedi u diskualifikua në raundin e nëntë. Sipas arbitrit në ring, Ajet Rreci, Mohammedi u diskualifikua për goditje të palejuara. Rreci i dha pesë herë vërejtje publike Mohammedit. Kështu Krasniqi shënoi fitore.

Spikeri zyrtar ka thënë se Krasniqi ishte në epërsi me pikë në momentin kur u ndërpre meçi.

Junikasi Krasniqi, që jeton në Gjermani, ka zhvilluar meçin e 60-të në boksin profesionist. Tani ka bilanc prej 53 fitore e shtatë humbje. Mohammedi, që me prejardhje është nga Algjeria, pësoi humbjen e dhjetë. Ka edhe  45 fitore.

Ngjarja në “Fadil Vokrri” është dominuar nga boksierët shqiptarë. Kanë fituar të gjithë ata që u paraqitën në ring. Dielli Vranovci shënoi fitoren e parë e më pas të suksesshëm ishin edhe Valon Ahmeti dhe Kushtrim Tahirukaj. 

Fitorja e Bernardin Jakajt ndaj Nicolas Karalitzkyt ishte shumë e dyshimtë. Kur gjyqtarët shpallën vendimin, kishte shumë fishkëllima të të pranishmëve në stadium. Karalitzky ka dominuar plotësisht për gjashtë raunde, por mori dy vërejtje publike nga gjyqtari në ring. Në fund Jakajt iu dha fitorja nga gjyqtarët, që ishin të Kosovës.

Fitore më pas shënuan edhe Isuf Kelmendi e James Kraft. Kraft, emri i të cilit është Musa Avdimetaj, fitoi me dorëzim të kundërshtarit. 

Armend Xhoxhaj doli i parafundit në ring. Ai dominoi plotësisht ndaj Lebogang Mashitoas. Por gjatë meçit boksieri nga Afrika e Jugut hoqi këpucët sportive dhe gjyqtari e suspendoi. Kështu fitorja i takoi Xhoxhajt.

Mbrëmja e boksit nisi me vonesë për shkak të reshjeve të shiut. Numri i shikuesve nuk ishte i madh, ndonëse është shpresuar që stadiumi të mbushet me tifozë të boksit.

Robin Krasniqi këndon në ring pas fitores

Robin Krasniqi është shprehur i lumtur për fitoren ndaj Nadjib Mohammedit. Krasniqi në fund të fjalimit ia ka dhënë këngës bashkë me shikuesit.

“E falenderoj Zotin që jam në mesin tuaj dhe po ua jap këto emocione. U falënderoj që plot 18 vjet më keni mbështetur dhe nuk më keni lënë të dorëzohem. Premtimin e kam mbajtur, i kam sjellë krejt titujt. Edhe këtë ëndërr e kam realizuar për të boksuar në Prishtinë”, ka thënë Krasniqi.
“Nuk ishte nata ime të them të drejtën. Emocionet ishin të mëdha. Shiu më demoralizoi pak, më mori pak koncentrimin, por kaq ishte e shkruar. Por unë do t’u jap emocione tjera”, ka shtuar Krasniqi.

Ai më pas ka bërë falenderime të shumta, ndërsa ia ka dhënë edhe këngës “jem Ilira, jem Teuta”.