Kombëtarja U19 sfidon kampionët e Europës, Bulku: Të tregojmë sa vlejmë
Kombëtarja shqiptare U-19 nis nesër grumbullimin në Koverçano të Italisë, në kuadër të miqësores së 9 gushtit, kundër ‘axurrëve’, kampionëve të Europës për këtë grupmoshë.
Për tre ditë me radhë, 20 kuqezinjtë e përzgjedhur nga trajneri Ervin Bulku do të stërviten në në qendrën e Koverçanos.
Në nisje të grumbullimit, trajneri i ekipit kuqezi, Ervin Bulku në një prononcim për fshf.org ka komentuar grupin e futbollistëve të grumbulluar dhe pritshmërit.
“Pak a shumë grupi është i njëjtë, pasi ka qenë edhe me grupmoshat e mëparshme, tek U-17 dhe U-15. Ka pak ndryshime. Po mundohemi të formojmë grupin që të jetë i gatshëm për ndeshjet kualifikuese. Tani do e shikojmë ekipin edhe në këtë ndeshje me Italinë. Është bërë si traditë tani, është viti i tretë radhazi që ne e organizojmë, duke parë marrëdhëniet e jashtëzakonshme që ka Federata jonë me Federatën Italiane. Këtë radhë kemi vetëm një ndeshje miqësore. Mos të harrojmë që skuadra italiane sapo është shpallur kampione Europe në Maltë. Mendoj se kemi marrë të gjithë lojtarët që janë duke u stërvitur në skuadrat e para ku bëjnë pjesë, kanë bërë fazë përgatitore të gjithë lojtarët që do të jenë të gatshëm. Shpresojmë që të bëjmë një paraqitje sa më të mirë dhe të gjejmë një skuadër të përgatitur, pasi dihet forca e kundërshtarit. Ne do shkojmë të bëjmë gjithçka çfarë mundemi, për të parë nga afër gjendjen që po kalojnë lojtarët dhe për të formuar një grup sa më të fortë për të përballuar ndeshjet europiane”, tha Bulku.