Asambleja e PS-së me shkarkime sekretarësh e emërime, Dedaj: Ibrahimaj u tremb nga skandali i Ahmetajt

Kryeministri Edi Rama mbledhi sot për 50 minuta Asamblenë e PS-së ku shkarkuar të gjithë sekretarinë e PS-së, Bledi Çuçi u emërua në vend të Damian Gjiknurit, si kryetar i grupit parlamentar ndërsa shkarkimi i Delina Ibrahimaj edhe pse u përfol u mohua nga ministrja dhe vetë kryeministri Edi Rama.

I ftuar në RTV Ora me Beti Njumën kryeredaktori i gazetës Liberale Reldar Dedaj deklaroi se asambleja erdhi pas një sërë zhvillimesh që ai i konsideroi si skandale e goditje për qeverinë e ku, sipas tij edhe shkarkimet e bëra sot gjatë mbledhjes bëhen me qëllimin e vetëm që kryeministri Rama të mbajë pushtetin.

"Kjo qeverisje po vjen goditje pas goditje e skandal pas skandali, duke prodhuar skandale madje të kufijve ndërkombëtarë. Unë e kam konceptuar këtë qeverisje gjithmonë të rënë, kjo qeverisje ka rënë. Nuk flitet më për një qeverisje megjithëse ai po mundohet ti japë kohë dhe oksigjen vetes pikë së pari për të shpëtuar veten. 

Nuk është rastësi e as spin lajmi i dorëheqjes së Ministres së Financave dhe ajo e trembur nga skandali i Ahmetaj nuk ka pranuar të vendosë firmën dhe siç dihet firmat vendosen ose nga kryeministri ose nga ministrja. Ajo ka refuzuar vendosjen e firmave për të mos u bërë palë e këtyre skandaleve.

Kjo qeverisje është e ndarë në dy probleme tepër të mëdha: një problem ka hesapet me drejtësinë, që i ka shumë të forta dhe SPAK po vepron e mbështetur nga ndërkombëtarë pasi guximi i SPAK për të goditur si asnjëherë më parë në 32 vite një zv.kryeministër dhe të arratiset e të kërkohet nga Interpol. Kjo qeverisje duhet të kishte rënë vetëm me këtë lajm. Këtë qeverisje e mban pamundësia e një opozite të fortë të shndërruar në alternativë dhe frika e ndërkombëtarëve për të mos pasur një alternativë," tha ai.