Nikolla nuk i pranoi në sallë/ Studentët ende jashtë Parlamentit: U takuam rastësisht me Spiropalin

Studentët e mjekësisë janë mbledhur përsëri para parlamentit dhe do të mbajnë një deklaratë para se të votohet projektligji që do t’i detyrojë të qëndrojnë në Shqipëri 5 vite pas diplomimit.

Ata treguan se janë gjendur rastësisht në një takim me ministren Spiropali, tëe cilës i kanë komunikuar se janë kundër. Studentët shtojnë se Spiropali u ka thënë se do komunikojë vetë me Lindita Nikollën për t’i përcjellë mendimi ne tyre.

“U takuam dhe shprehëm mospëlqimin ndaj projektligjit. Ajo pati një reflektim nga ana e saj dhe tha se do të bëjë ajo një komunikim personalisht me kryetaren e Parlamentit, zonjën Lindita Nikolla, nëse do të krijohet mundësia që ne të jemi pjesë e seancës plenare që po zhvillohet  aktualisht,” – u shpreh një student.

Ndërkohë një tjetër tregoi se të mërkurën kanë dërguar me e-mail një kërkesë zyrtare në Kuvend për të marrë pjesë në seancën plenare.

“Nuk kemi marrë përgjigje, jemi injoruar. Nuk na është dhënë mundësia të shprehim mendimin tonë rreth situatës, ndërkohë që ne jemi grupi i interesit që prekemi nga kjo gjë. Nga takimi që patëm me Spiropalin na tha që do të ketë një komunikim tjetër,” – u shpreh studenti.