Gonxhja: Pajisje të reja për projektin e Qendrës Digjitale të Praktikës Virtuale, në Prezë

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se kanë mbërritur dy pajisjet e para profesionale simulator ef-car, për projektin e Qendrës Digjitale të Praktikës Virtuale që po ndërtojmë në Prezë, Tiranë.
Sipas Gonxhes, pajisjet e reja simuluese shërbejnë si njësi trajnimi virtual shtesë për drejtues mjeti.

Këto pajisje janë të krijuara posaçërisht për të trajnuar dhe mësuar mbi drejtimin e mjetit, ecjen, reflekset, parkimin apo spostimin si dhe situatat e papritura e të rrezikshme, përfshijnë databazë grafike, me më shumë se 200 km rrugë qyteti e fshati, autostrada, rrugë malore, etj.

Kreu i DPSHTRR-së shpjegon dhe dobitë e simulatorëve.

“Kandidati punon në autonomi, në ndërveprim total me pajisjen, me ritmin e tij ose nën kontrollin e një instruktori. Mësimet përmbajnë shpjegime, udhëzime dhe përditësime në praktika dhe komente mbi veprimet, mijëra zëra dhe mesazhe të shkruara, të cilat vijnë në ndihmë. Çdo trajnim mund të regjistrohet në system. Simulatori mundëson kohë më të gjatë për trajnim dhe praktikohen situata të ndryshme nëpërmjet një klikimi të thjeshtë. Përgjithësisht mendohet që një orë simulator është e barabartë me dy orë në një automjet të vërtetë. Çdo situatë drejtimi dhe ushtrime të disponueshme pa vonesa. Nuk ka kohë të humbur në trafik”, u shpreh Gonxhja.

Nga ana tjetër, ai theksoi se simulatori lejon dhe mundëson mësimin e të gjitha bazave të sjelljes, të sigurt dhe me kosto më të ulët (p.sh duke ulur koston e automjetit, mirëmbajtjen, sigurimin, karburantin etj.).

“DPSHTRR synon rritjen e interesit përmes aktiviteteve edukative, formuese e ndërgjegjësuese, tek brezat e rinj, grupe e programe, tek sektori i autoshkollave, ekspertë e instruktorë, si edhe rritjen e njohurive dhe përditësimin e personelit teknik të lejedrejtimit, me qëllim modernizimin dhe informatizimin e shërbimeve të transportit rrugor, testimin dhe studimin e praktikave inovative”, deklaroi Gonxhja.