Kryetari i AKEP: 95 % e territorit shqiptar mbulohet me shërbim celular
Kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Tomi Frashëri deklaroi sot se 95 % e territorit shqiptar mbulohet me shërbim celular.
Gjatë seancës plenare të Kuvendit të sotëm, kreu i AKEP-it nuk u lejua të raportonte mbi veprimtarinë e punës së këtij Autoriteti për vitin 2022, pasi deputetët e opozitës kishin bllokuar foltoren, por ai u rikthye për t’iu përgjigjur pyetjeve të opozitës.
Frashëri tha se Shqipëria është ndër vendet me mbulimin më të mirë celular në rajon.
Sipas tij, ka ende nevojë për përmirësimin e cilësisë së shërbimit në disa zona. Ai shtoi se për shkak të relievit ka ende disa zona të quajtura “të bardha”, pra të pambuluara.
Kreu i AKEP-it shpjegoi se ngritja e stacioneve perforcuese është e një rëndësie kyçe, ndërsa sugjeroi gjetjen e një mënyre incentivimi nga ana e qeverisë për kompanitë.
Nga ana tjetër, Frashëri bëri të ditur se spektri i frekuencave është më i hapur dhe më i lirë se kurrë më parë për hyrjen e një operatori të tretë në treg.
