Berisha: Raport i KLSH-së e nxjerr Ballukun në krye të piramidës së hajnisë, do kesh fatin e Ahmetajt
Sali Berisha nga Kuvendi u shpreh se raport i Kontrollit të Shtetit e nxjerr zv. kryeministren Belinda Balluku në krye të piramidës së hajnisë.
Ai shtoi se ajo do të ketë fatin e Arben Ahmetajt, ndërsa shtoi se së bashku me Ramën janë të pambrojtur.
Berisha: Reagoi sepse vetë është stërgugale, reagoi vetë sepse ai raport i Kontrollit të Shtetit e nxjerr atë në krye të piramidës së hajnisë. Reagoi se kjo është ministrja që ndan ndërtimet në 2-3 km për të vjedhur në çdo kilometër. Kjo është ministrja që ndërton 22-24 mln euro rrugën.
Të jesh e bindur ti, që fatin e Arben Ahmetajt do të kesh dhe këtu do të jesh. Po bëre mirë që erdhe për të mbrojtur Edi Ramën. Por ti dhe Edi Rama jeni të pambrojtur. Po çfarë është kjo more, ai thotë se kam gjetur 18 miliardë abuzime me qiratë, kjo vjen e bën avokatinë e saj. Po se të djeg ty se edhe ti duhet të kesh vjedhje të tmerrshme edhe me qiratë, ndoshta.
Por kjo është e cituar aty, çfarë do të thotë kjo. Ka ardhur një raport këtu apo jo, ai raport është me shifra, është me miliarda, ai raport flet për 138 miliardë. Po merre e shikoje njëherë, me të gjitha shpërdorimet, të gjitha format. Po sa është me Tatimet e doganat, më thoni ju mua, është 108 miliardë. Po se e paskam gabim, apo se nuk ju intereson. Po sa është tek pylli orbital, sa janë 1 milionë pemë të Erion Veliajt.
