Kandidatët për ambasador të Shqipërisë paraqesin pikat e angazhimit të tyre në komision

Komisioni i jashtëm ka vijuar me dëgjesat e kandidatëve për ambassador të Shqipërisë. Arten Hanku, pasi bëri një panoramë të situatës politike dhe ekonomike të Sllovakisë, detyrë ku propozohet të jetë ka sjellë në vëmendje dhe Kosovën.

Ai theksoi se do angazhohet që të evitohet vota kundër e Sllovakisë në aplikimet që bën Kosova për të qënë antare e Organizatave ndërkombëtare.

“Një pikë tjetër që doja të cekja unë është njohja e shtetit të Kosovës. Sllovakia është një nga 5 anëtarëve të BER-së që nuk e njeh Kosovës. Këtu është për tu cekur problemi i një minoriteti në jug të Sllovakisë dhe tjetra është tradita dhe gjuha sllave e religjioni që e bëjnë që të jetë një çështje e paprekur.”

Ilir Tepelena nga ana e tij në prezantimin e kandidaturës si ambasador në Çeki theksoi rritjen e turizmit.

“Mbresat e turistëve cekë që janë të shumtë në vendin tonë dhe ata duan jo vetëm bregdetin, por çdo pjesë të territorit të vendit.”

Ndërsa Saimir Bala, theksoi angazhimin për rritjen e marrëdhënieve me Arabinë Saudite në të gjitha fushat.

“Ruajtja dhe forcimi i kontaktit politik në të gjitha nivelet.”

Me tre dëgjesat e fundit Komisioni përfundoi paraqitjen e listës prej 12 kandidatësh që pas votimit në parlament do të dekretohen nga presidenti.